Figurat e shquara kombëtare, myftiu Ylli Gurra i quan yll polar për qytetarët e Shqipërisë (VIDEO)

Ekstremizmi i dhunshëm është një ndër sfidat e reja që janë shfaqur edhe në Ballkan gjatë viteve të fundit dhe ai përbën kërcënim për sigurinë e vetë rajonit.

Sa rrezikohet Shqipëria nga nga kjo formë e shtrembëruar e islamizmit dhe çfarë përpjekjesh bëhen nga vetë bashkësia islame për të mos lejuar shfaqje të ekstremizmit në vend? Në një intervistë për Zërin e Amerikës në Uashington, flet Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Zëri i Amerikës: Zoti Gurra, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është një përparësi e administratës amerikane. Cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Uashington?

Ylli Gurra: Dëshiroj të ndaj me ju dhe me gjithë qytetarët shqiptarë, që na ndjekin përmes Zërit të Amerikës, që i ftuar nga departamenti i religjioneve nga gazeta “Uashington Post” gjendem këtu për të ndarë përshtypjet, mesazhet dhe për të përçuar mënyrën se si ekziston, si menaxhon dhe se si është situata e fesë në Shqipëri, kryesisht e myslimanëve, dhe përpjekjet që bën Komuniteti Musliman i Shqipërisë, si institucioni zyrtar për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm apo shfaqjen dhe shprehinë, apo tendencat për radikalizëm dhe për një ekstremizëm të tillë në raport me vetveten si muslimanë, në raport me shoqërinë shqiptare dhe në raport me zhvillimin shoqëror të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: A ka në Shqipëri prirje të hapura apo të kamufluara për ekstremizëm të dhunshëm, që janë një shtrembërim i islamit?

Ylli Gurra: E vërteta është ajo që thatë dhe cituat ju. Në brendinë e tyre fetë qiellore, përfshirë edhe Islamin nuk kanë aspak, nuk ushqejnë aspak, nuk përcjellin aspak, nuk kërkojnë aspak nga ndjekësit, nga idhtarët apo nga besimtarët e besimtaret përçimin e dhunës apo lançimin e saj. Përkundrazi. Të gjithë librat qiellorë, përfshirë edhe Kuranin, përçojnë dhe kanë kusht kryesor përcjelljen e paqes dhe përmes rrugëve të paqes dhe vizionet më paqësore. Përmes jush përcjell te cilindo shqiptar dhe besimtar se është e domosdoshme të korrigjojë vetveten në raport me familjen, në raport me shoqërinë, në raport me shtetin dhe në raport me misionin që e ka vetëzgjedhur me vullnet të lirë për të qenë besimtar i Islamit, apo i Krishtërimit apo pse jo, në disa raste edhe ateist.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri janë ndërtuar shumë xhami. A janë ato të gjitha nën administrimin e Komunitetit Musliman? A dihet se çfarë predikohet në xhamitë e fshatrave të largët, për shembull?

Ylli Gurra: Sigurisht. Pas viteve 90 në Shqipëri ka një ringritje të shpresës për besim dhe të ushqimit me besim si çdo shoqëri demokratike, si edhe në SHBA. Komuniteti Musliman i Shqipërisë përmes 35 myftinive në të gjithë vendin po përpiqet, duke marrë parasysh edhe vetë tranzicionin që po kalojmë si shoqëri, që të ketë në mirëmenaxhim, në administrim dhe në përcjelljen e mesazhit hyjnor të paqes nëpër të gjithë këto objekte kulti, xhami në fshatra dhe në qytete. Po punojmë të ketë një mirëmenaxhim që synon uljen me këmbë në tokë në përcjelljen e këtij mesazhi në raport me vetë myslimanët dhe në raport me gjithë qytetarët e Shqipërisë, duke marrë parasysh kornizën ligjore, kornizën fetare dhe kornizën shoqërore.

Zëri i Amerikës; Zoti Gurra, dua t’ju bëj një pyetje lidhur me figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu, që luftoi kundër pushtuesve otomanë. Këtë meritë ia njohin edhe vendet europiane. Si shpjegohet që ka përpjekje për denigrimin e figurës së tij? A mendoni se ka një axhendë prapa kësaj?

Ylli Gurra: Më vjen shumë mirë që më jepet mundësia përmes jush, duke ju falenderuar për pyetjen, të përcjell edhe një herë fuqishëm dhe të nënvizoj se muslimanët dhe gjithë shqiptarët nuk kanë asnjë kompleks me figurat kombëtare, duke filluar nga Teuta e epokës ilire, apo Gjergj Kastrioti Skënderbeu, apo tek i pari kryetar i shtetit shqiptar Ismail bej Vlora Qemali, kryetari i parë i Senatit, i cili ka qenë njëherësh edhe kryemyftiu i Shqipërisë 1912-1929, Veli Dibra, apo Atë Fan Noli, i cili ka drejtuar shtetin shqiptar, apo Dom Nikollë Kaçorri, të cilët janë shprehi e gjallë e asaj çka ne besojmë dhe ushqejmë se këto figura janë ylli polar për çdo qytetar të Shqipërisë, janë figura përbashkuese dhe shprehje e unitetit tonë vëllazëror, sa kombëtar aq edhe fetar.

Zëri i Amerikës: Cilat janë këto rryma atëherë, që përpiqen të denigrojnë figurën e Skënderbeut?

Ylli Gurra: Ka edhe qarqe, individë dhe qarqe të caktuara, të cilët dëshirojnë që shqiptarët në këtë shekull të mos mund të bashkohen, ose të mos munden shqiptarët të bëhen ata që kanë qenë dhe që duhet të jemi. Shqiptarë ka në Republikën e Shqipërisë, shqiptarë ka edhe në Republikën e Maqedonisë, shqiptarë ka edhe në shtetin e Kosovës, shqiptarë ka edhe në Republikën e Malit të Zi, po ashtu ka edhe në Çamëri. Pra, një e drejtë sa hyjnore, sa historike aq edhe legjitime, që shqiptarët janë një komb që kanë për të sjellë përmes figurave të tyre kombëtare vetëm dhe vetëm të drejtën e lirisë dhe vetëm paqe. /VoA


1 Koment

  1. Këtë intervist të Yll Gurës myfti i Tiranës me knaqësii e lexova këtë intervist dhe plotësisht pajtohem me mdimet e shprehura nga ky person që të len përshtypje se e meriton të jet në krye të fes islame dhe ti mbaj ligjërasta disa të ashtuquejtur imam dhe hoxhallar që vetënm shkaktojn të këqija dhe dëm të paparishukueshë për kombin shqiptar .Ju lutm këtij muftiu që të mbaj ligjlërata hoxhallarve që me të vërtat shife se skan lidhje me fen e as me jetën në përgjithësi.Bravo i qoftë për fjalët e ambla dhe këshilluese që iu drejtohen të gjith shqiptarve .Kisha me propizue që të përpilohet një kodeks etik për paraqitjen e imamëvbe, hoxhallarve e të tjerve që vetëm folin e nuk kan dijeni në përgjithësi për fen islanme e as për fet tjera .Paraqitja e qytetarve në rrjetën sociale dhe budallallëkët , prëçmimimet ,sharjet ma të fëlliqta që përdoren , ofendimet dhe shumë fjalë të tjera të ndyta që ndryshe mendojn mos të botohen.Turp të vjen ka një her kur lexon diçka që të shtyn me mendue se a jan këta njerëz normal apo jo.Edhe njëher lëvdatë për fjalët plotësisaht me vendë që i ka than ky imam për mua shum i ditur .Kjo interrvistë ti shërbej hoxhallarve tjer në tër teritoret ku jetojn shqiptarët si idhëreyes se si duhet mendue dhe punue për ne shqiptarët që mos të na shkaktohnë përçarje, urrejtje e ndoshta gjëra edeh ma të këqija që kishte me i knaqë armiqët tan që nuk jan pak në bazë në të përkatësis fetare dhe të ndërprehën e mos të botohen .mendime që shkaktojnë polirizamin e vetë kombit ton shqiptar.Të faleminderoj shumë për këtë inerviste shkencore dhe me të vërtet Yll je ppër përfaqësuewsit tjer imamve dhe hoxhallarve që kjan shum tue na damtue dhe lexova dikund apo ndigjova se rreziku ma i masdh po shkaktohet ndërmjet vetë shqiptarve perej ekstremistave fetar sespe Z, i plotë fuqishëm në Kur an i pranon të gjith fet dhe profetët e tyre .

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu