Banda e udhëhequr nga Mickoski do të japë llogari dhe do t’i kthejë paratë, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në përgjigje të pyetjes së një gazetari lidhur me qëllimet dhe aktivitetet e Frontit për Liri dhe Drejtësi.
”Qëllimi përfundimtar do të jetë që ky pushtet kriminal të largohet, ta çlirojë shtetin, të kthehemi në rrugën evropiane, ndërsa banda e udhëhequr nga Hristijan Mickoski të japë llogari dhe të kthejë paratë. Ndërkohë, kjo nënkupton se ne po bashkohemi dhe po rritemi”, tha Filipçe.
Në përgjigjen e tij, ai shtoi se pushteti ka obligim të shpallë referendum, duke kujtuar se VMRO-ja erdhi në pushtet me premtime të rreme dhe më pas bllokoi rrugën evropiane të shtetit.
”Pushteti ka obligim të shpallë referendum, sepse nuk ka të drejtë të ndalojë rrugën evropiane të vendit, sepse gënjyen se do të siguronin një pozicion më të mirë negociues dhe asnjëherë nuk thanë se do ta bllokonin rrugën evropiane të vendit. Gënjyen se do ta kthenin emrin, se do ta shfuqizonin Marrëveshjen e Prespës, marrëveshjen për fqinjësi të mirë, dhe asgjë nga këto nuk bënë. Erdhën në pushtet me një gënjeshtër të madhe, me një propagandë të stimuluar, financuar dhe mbështetur nga vende të tjera, dhe sepse ky pushtet punon për llogari të vendeve të tjera. Ata nuk e kanë këtë të drejtë”, tha Filipçe.
Gjithashtu, Filipçe porositi se Fronti për Liri dhe Drejtësi do të punojë në bashkimin e forcave shoqërore dhe politike me qëllim që pushteti t’u kthehet përsëri qytetarëve.
”Ky front ka për qëllim që në prag të zgjedhjeve të rradhës, pa marrë parasysh se kur do të jenë, nëse janë të parakohshme apo të rregullta, ta kthejë pushtetin në duart e qytetarëve”, deklaroi Filipçe.










