‘Fillimi i ri’ i Erdogan: Kurorëzim i Turqisë së Re, apo çmontim i Republikës së Ataturkut?

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili u rizgjodh muajin e kaluar në krye të vendit me mbi 52 % të votave, është betuar të hënën për një tjetër mandat 5-vjeçar, por kësaj radhe me fuqi tepër më të madhe se në mandatin e parë.

Opozitarët frikësohen se roli i tij i ri si President ekzekutiv do të shkatërrojë demokracinë. Pozita e tij e re largon vendin që lidh Azinë me Europën nga sistemi parlamentar dhe zhbën zyrën e kryeministrit, e cila e ka drejtuar vendin që prej krijimit të Turqisë moderne, 95 vite më parë

Kompetencat e reja të Erdogan, i cili ka drejtuar vendin si kryeministër nga viti 2003 në vitin 2014 dhe si President në një Turqi të qeverisur me sistem parlamentar nga viti 2014 në vitin 2018, përfshijnë emërimin e ministrave, zv/presidentëve dhe të ndërhyjë në sistemin ligjor.

Pasi u betua në parlament të hënën, Erdogan u tha të pranishmëve në Pallatin Presidencial në Ankara se Turqia “po bënte një fillim të ri”. “Ne po lemë pas një sistem që i ka kushtuar shtrenjtë vendit tonë në kaosin politik dhe ekonomik.”

Për 95 vite, Turqia ishte Republikë Parlamentare me zemër pushteti Asamblenë e Madhe Kombëtare. Nga e hënë nuk do të jetë më kështu. Tashmë ajo është një Republikë Presidenciale me lider të plotfuqishëm Recep Tayyip Erdogan.

Pasi fitoi zgjedhjet, ai ka fuqinë e kreut të ekzekutivit, duke kontrolluar Ushtrinë dhe Agjencinë e Inteligjencës, në gjendje për të lëshuar dekrete dhe emëruar gjyqtarët më të lartë të gjyqësorit.

Për mbështetësit e tij, sistemi i ri është një sistem më i fortë, ndërsa për kundërshtarët është sundim i një njeriu të vetëm dhe vdekje për demokracinë turke.

Erdogan është tashmë lideri më i fuqishëm turk që prej Ataturkut, babait sekular themelues të Turqisë moderne, i cili e shikonte Turqinë si pjesë të Perëndimit.

Por, sipas BBC, Erdgoan e ka vendosur fenë në zemër të vendit dhe e ka distancuar Turqinë nga Perëndimi. Pak liderë europianë morën pjesë në inaugurimin e tij, vetëm ata të Hungarisë dhe Bullgarisë – me shumicën e tyre që vinin nga Afrika dhe Lindja e Mesme, një shenjë që tregon ravijëzi të ri gjeopolitik.

Në mesin e 22 presidentëve dhe 28 kryeministrave dhe kryetarëve të parlamenteve të pranishëm në inaugurimin e Erdogan ishin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rusia përfaqësohej me Kryeministrin Medvedev, ndërsa nuk mungonin në ceremoni as miqtë e vjetër të Erdogan, si ish-Kancelari gjerman Gerhard Shroder apo ish-Kryeministri italian, Silvio Berluskoni.

Erdogan është polarizues dhe pikëpamjet janë të ndara. Për disa ky është kurorëzim i Turqisë së re, ndërsa për të tjerët është çmontim i Republikës së Ataturkut.

Në kabinetin e ri qeveritar, Erdogan ka vendosur ta ulë numrin e ministrave nga 26 në 16, po aq sa yjet në simbolin e presidencës Turke. 16 yjet simbolizojnë 16 perandoritë e mëdha turke, ndërsa dielli në qendër simbolizon Republikën e Turqisë.

Në mesin e 16 ministrave, Erdogan ka zgjedhur dhëndrin e tij Berat Albayrak në postin e rëndësishëm të Ministrit të Financave. Emërimi i tij solli tronditjen e tregjeve pas shqetësimeve për nepotizëm në lozhat e sipërme të pushtetit. Menjëherë pas publikimit të kabinetit të ri, Lira turke humbi më shumë se 3 % në vlerën e saj.

Berat Albayrak, 40-vjeçari që është i martuar me vajzën e Presidentit ka shërbyer si Ministër i Energjisë që prej 2015, por promovimi i tij në postin e Ministrit të Financave rriti frikën e nepotizmit në pjesën sipërore të pushtetit.

Më herët në fushatë elektorale ai është ankuar se rënia e vlerës së Lirës turke përgjatë këtij viti është pasojë e një “operacioni të hapur dhe të pastër” kundër Turqisë.

Me shpalljen e kabinetit të ri doli në pah edhe se Mehmet Simsek, një ish-bankier në Merrill Lynch që ka shërbyer si zv/kryeministër përgjegjës për ekonominë në qeverinë e mëparshme, nuk do të ketë post në qeverinë e re.

Në një tjetër lëvizje të Erdogan, kreu i Shtatmadhorisë turke, Gjeneral Hulusi Akar është emëruar si Ministër i Mbrojtjes. Ndërsa Mevlut Cavusoglu mbetet si Ministër i Jashtëm.

Binali Yildirim, i cili do të mbahet mend si Kryeministri i fundit i Turqisë, pritet të emërohet në postin e Kryetarit të parlamentit./tvklan


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu