Filloi fushata zgjedhore në Kosovë

Në Kosovë sot ka filluar fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Kandidatët për kryeministër kanë zgjedhur vendet e tyre simbolike për të mbledhur simpatizantët e tyre, apo edhe i janë drejtuar masës me mesazhe nëpër rrjetet sociale, njoftoi Klan Kosova.

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurti, ka hapur fushatën nga menza e Ramiz Sadikut në Prishtinë, me shumë të rinj të cilëve ia bëri edhe premtimet paraprake. “Po ju flas këtu prej menzës “Ramis Sadiku” . Është fantastike të shohësh se sa shumë të rinj janë bërë bashkë sepse interesohen për politikën. Merrni pjesë në dëgjim, sepse ju bëni dhe e përbëni ndryshimin. Arsimi, puna, përparimi janë fokusi jonë për juve”, theksoi Kurti. Fatmir Limaj, kreu i Nismës njëherit edhe kandidat i kësaj partie për kryeministër iu drejtua qytetarëve përmes një postimi në facebook.

“Po futemi në periudhën e fushatës zgjedhore, andaj para neve dhe juve shtrohet angazhimi dhe përgjegjësia e organizimit të një fushate të ndershme, demokratike, me integritet dhe të bazuar në ligj, duke respektuar plotësisht Kodin e Mirësjelljes, për të krijuar kushte për zgjedhjen e përfaqësueseve tanë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, ka nënvizuar Limaj. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli iu drejtua qytetarëve përmes rrjeteve sociale, veçse ai me një video-selfie. “Ju ftoj ta mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës. Ne e ndërtojmë të ardhmen” ishin fjalët e Veselit. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj nga SHBA-të u drejtua me një mesazh.

“Edhe pse larg, jam mes bashkatdhetarëve tanë, që me zemër janë në Atdhe dhe nga ta po marr mbështetje të parezervë për vendimet e mëdha që ia rikthyen qytetarit të Kosovës, dinjitetin dhe ndjenjën e krenarisë”, ka theksuar Haradinaj. Ndërsa LDK-ja mblodhi qytetarët në një tubim në selinë qendrore të saj në kryeqytet. Nga aty kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani tha do të shënojë fitore historike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu