Filmi që përloti shqiptarët: A bazohet në histori të vërtetë dhe ç’kuptim ka ‘Lingo, Lingo’?

Filmi “Miracle In Cell No.7”, mori vëmendjen e të gjithëve, kur fill pas postimit me qindra njerëz shkruan se “s’kishin qarë kaq shumë prej kohësh”. Në Facebook, postimi grumbulloi më shumë se 2,500 pëlqime dhe mbi 700 komente, gjë që vë në dukje popullaritetin e “Miracle In Cell No.7” (Mrekulli në qelinë nr.7).

“Miracle In Cell No.7”, i cili njihet edhe si “Yedinci Kogustaki Mucize” është një film turk, prodhim i vitit 2019 që transmetohet në Netflix dhe është i bazuar në filmin e Koresë së Jugut (2013) me të njëjtin emër.

“Miracle In Cell No.7”, nën drejtimin e regjisorit Mehmet Ada Oztekin, trajton raportin e një vogëlusheje (Nisa Sofiya Aksongu) me të atin (Aras Bulut Iynemli), një person me aftësi ndryshe. Memo, babai i Ovës, akuzohet pa të drejtë për vrasjen e një 6-vjeçareje dhe këtu nis edhe trajtimi i nënlinjave të filmit.

Një nga pyetjet më të shpeshta që bëhen në internet lidhet me kuptimin e frazës “Lingo Lingo”, që përdoret si një formë komunikimi babë e bijë. Në film, Memo thotë vazhdimisht “Lingo, lingo” dhe e bija i përgjigjet me “Shisheler”. Frazat janë referencë e një kënge turke “Lingo, Lingo, Shisheler” që përdoret nga kërcimtarët belly dance. Shisheler nënkuptom shishe ndërkohë që fraza “lingo lingo” nuk ka ndonjë kuptim në turqisht, por është pak a shumë e ngjashme me “la la la”. Një formë e tillë gjuhësore nxjerr në pah komunikimin naiv dhe të paqtë mes tyre.

Filmi që përloti shqiptarët: A bazohet në histori të vërtetë?

Nga çfarë dihet, “Miracle In Cell No. 7” nuk është i bazuar në një histori të vërtetë, po është një remake i filmit të vitit 2013 të Koresë së Jugut, i cili gjithashtu është përshtatur edhe në Filipine dhe Indonezi.

Nuk jemi profesionistë, megjithëse vlen të thuhet se filmi ka disa probleme, përgjithësisht në skenar, pasi shumë elementë ngelen të pazhvilluar mirë, mirëpo jo detyrimisht një film duhet të jetë i kopsitur në të gjitha anët që të të ngjallë emocion. Aktrimi i dy protagonistëve është i përkryer. Nëse nuk e keni parë dhe dëshironi mendimin tonë, po, ia vlen ta shihni. Paraprakisht ju paralajmërojmë që do të qani shumë./anabel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu