Flasin ekspertët e sigurisë, kush mund ta destabilizoj Kosovën?

“Kosova ka mjaft armiq, edhe që jemi çliruar  dhe po kemi vështirësi në ndërtimin’ e shtetit tonë, veprimet armiqësore të  shteteve që nuk na e duan  të mirën nuk po ndalen kurrë”, ka thënë Tërnava.

Këshilli për Siguri i Kosovës, ka informuar qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues. Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës.

Një njoftim i tillë ka shqetësuar qytetarët dhe ka bërë që edhe policia e Kosovës t’i shtojnë masat e sigurisë në vend.

Sipas Policisë së Kosovës, ata mbesin të përkushtuar në realizimin e planifikimeve të saj operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e incidenteve të çfarëdo natyre.

“Bota sot” ka kontaktuar Policinë e Kosovës, për t’i pyetur se çfarë konkretisht kanë bërë ata lidhur me paralajmërimet e grupeve kriminale se po përgatisin sulme drejt liderëve politikë dhe nëse i kanë shtuar masat e sigurisë për këtë çështje, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Ndërsa, në anën tjetër ekspertët e sigurisë thonë se njoftimet e tilla nuk duhet të krijojnë frikë apo panik tek qytetarët, sepse institucionet e sigurisë e kanë gjendjen nën kontroll.

Avni Islami, ekspert i çështjeve të sigurisë

Gjendja e sigurisë në nivel

Avni Islami, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se nëse vërtet krerët e institucioneve të shtetit janë të rrezikuara nga grupet kriminale, ata që e kanë dhënë këtë deklaratë duhet të japin edhe urdhrin t’i mbrojnë liderët.

“Në mbledhjen e rregulltë të Këshillit të Sigurisë ndërkombëtare, pas kësaj është lëshuar një deklaratë se liderët kryesor qenkan të rrezikuar nga grupe kriminale, informata  vie në bazë të Këshillit të Sigurisë. Nëse me të vërtetë krerët e insitutucioneve të shtetit janë të rrezikuara nga grupet kriminale, atëherë ata që e kanë lëshuar këtë deklaratë, ata do të duhet që të japin urdhër institucioneve përkatëse të cilët janë të thirrur t’i mbrojnë liderët politikë dhe të ndërmerren masat dhe hetimet për arrestimin dhe dënimin e atyre kriminelëve” pohon Islami për “Bota sot”.

Ai shprehet se deklarata të tilla nuk i bëjnë mirë opinionit.

“Deklaratë e tillë nuk i bën nder opinionit dhe ai nuk duhet të shqetësohet me lajmet e tilla, por institucionet e sigurisë duhet të veprojnë karshi ligjit. Unë jam skeptik që vërtetë liderët janë në atë gjendje që mund të rrezikohen nga jashtë sepse është siguria” thekson Islami.

Sipas Islamit Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet kriminale sepse gjendja e sigurisë është në nivel.

“Sulmet e ndryshme kriminale nuk ka mundësi të shkatërrohen në përmasa aq të mëdha sa të rrezikojnë qytetarët e Kosovës. Gjendja e sigurisë në Kosovës është e qetë dhe stabile, institucione e kanë gjendjen nën kontroll dhe nuk ka nevojë për panik apo frikë”  vlerëson Islami.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Mund të ketë sulme ndaj liderëve politikë

Kurse, sipas ekspertit të sigurisë, Hajrullah Tërnava në  situatë të tillë edhe mund të ndodhin sulme ndaj liderëve politikë.

“Në  këtë situatë  të tillë çfarë  është Kosova, edhe sulme të tilla sikur që janë paralajmëruar ndaj liderëve politikë, mund të ndodhin sikur në rastin e atentatit ndaj Azem Vllasit. Mjerisht dikush mendon se këtu mund të vijnë e të kryejnë vepra të tilla kriminele edhe askush të mos burgoset, e vet jetojnë në vende me demokraci të zhvilluar dhe në shtete ku funksionon shteti dhe ligji. Këto grupe sikur në rastin e plagosjes të Azem Vllasit nga Murat Jashari si anëtar i LPK kanë nivel të tillë që mendojnë  se mund ta vrasin kënd duan dhe mos t’i përgjigjen askujt në shtetin e Kosovës. Po këta njerëz ishin shokët dhe miqtë ma të përafërt po me këta njerëz që sot e udhëheqin shtetin e Kosovës e që janë  kreu i partisë së PDK në krye edhe me Hashim Thaçin tani Kryetar i Kosovës” deklaron Tërnava.

I pyetur se sa është e rrezikuar Kosova nga sulmet e tilla, Tërnava shprehet se Kosova ka mjaft armiq që nuk ia duan të mirën.

“Kosova ka mjaft armiq, edhe që jemi çliruar  dhe po kemi vështirësi në ndërtimin e shtetit tonë, veprimet armiqësore të  shteteve që nuk na e duan  të mirën nuk po ndalen kurrë. Gjithnjë  nëse ka vlerësime të tilla nga organet e sigurisë se grupe armiqësore po përgatiten për çrregullimin armiqësor të rendit kushtetues të Kosovës, si likuidmin e liderëve politik, niveli i gatishmërisë  duhet të ngritët edhe në nivelin ma të lartë dhe të shtohen masat e sigurisë, por organet e sigurisë  duhet t’i verifikojnë mirë ato dyshime,  nëse është nevoja edhe përmes shërbimeve miqësore të atyre shteteve që edhe na ndihmuan të çlirohemi, sikur që janë Amerika me BE dhe NATO-n”  përfundon Tërnava.

Analisti Jeton Kelmendi

Të rrezikuar Mustafa e Thaçi e Veseli

Ndërsa analisti Jeton Kelmendi thotë se gjithmonë janë të mundshme sulmet ndaj liderëve, por jo në këto rrethana.

Sipas Kelmendit, pasi PDK-ja është në pushtet nuk mund të ketë ndonjë vrasje, prandaj sipas tij  e gjitha kjo është një frazë politike.

“Gjithmonë janë të mundshme sulmet ndaj cilitdo lider, por në këto rrethana në këtë përvojë të deri tanishëm nuk ka pasur diçka e tillë. Po flas që në vitet e pas luftës kur elemente korruptive të inkriminuarit nga shërbimet e huaja që vranë disa tani më që nga ardhja në pushtet PDK-së dhe Thaçit nuk ka pasur vrasje me digresion politikë, andaj tani nuk pres sepse është në pushtet PDK-ja, njeriu potencial që mund të rrezikonte të tjerët, kjo mund të jetë frazë politike” shprehet Kelmendi.

Ai thotë pasi nuk ka pasur rrezik për njerëzit që kanë nënshkruar marrëveshjet që janë të dëmshme për Kosovën, atëherë nuk do të ketë rrezik për asnjë njeri tjetër.

“Shërbimet e bëjnë punën e vet, Kosova e ka edhe shërbimin e vet, është një vend në një masë stabil dhe nuk besoj që do të rrezikohen ndonjë prej liderëve. Në kushtet normale, rreziku më i madh do të ishte për Kryeministrin Mustafa, Presidentin Thaçi, nënshkruesve të marrëveshjeve të dëmshme që shesin tokën e atdheut, krijojnë Serbi brenda. Pasi nuk ka pasur rrezik që  këto njerëz të ekzekutohen asnjë njeri nuk ka më asnjë lloj rreziku. Janë farza politikë nga qarqet politike, por gjithsesi organet e rendit, shërbimet e intelegjencës dhe policia duhet t’i hetojë” pohon Kelmendi.

Ai thotë se përsëri shërbimi i inteligjencës duhet t’i përcjell me kujdes këto çështje.

“Gjithmonë shërbimi i inteligjencës do të duhej t’i përcjell me kujdes këto çështje edhe pa paralajmërime. Por,  nuk parashoh as më të voglin rrezik, sepse njerëzit që i kanë sjellë keq Kosovës, janë Veseli, Thaçi dhe Mustafa dhe këta nuk i rrezikon asnjë njeri sepse çdo mekanizëm ligjor  të shtetit e kanë në dorë, kurse të tjerët nuk paraqesin ndonjë rrezik serioz. Kemi parë edhe katraurat që kanë ndodhur në kuvend dhe asnjëherë nuk është rrezikuar jeta e asnjë njeriu, nuk është serioze, por përsëri siguria duhet të jetë në nivel jo të shtohen masat por të bëjnë punën  e tyre” përfundon Kelmendi.

Ndërsa, kërcënimet e tilla ndaj liderëve politikë vlerësohet se janë veprimet që bëhen nga njerëz me të kaluar të dyshimtë që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu