Forca e një gruaje

Shkrim nga Donika Bakiu

Gruaja ka fuqi të madhe që askush tjetër nuk e ka. Historia e zonjës Sherizate Mustafi më ka bërë të ndjehem mua ndryshe por edhe gjithë ata që do ta lexojnë. Nuk e njihni zonjën sepse ajo nuk është fytyrë publike, nuk del në programe, në televisione, as bën shkrime për në portale. Po ka një fuqi që askush nuk e ka ose ndoshta nuk njoh unë dikë tjetër. Është nëna e mikes sime Havës, ndryshe është nënë e katër vajzave dhe një djali. Jeta na bën befasi që askush nuk mund t’i paramendojë por as ti parandalojë . Edhe pse gjithmonë dikush na thotë që “të mendoni pozitivisht” ose “të jeni optimist” është e lehtë ta thuash por duhet të veprosh.

Zonja ka kaluar 13 operacione. Me kancer në zorrë të trashë pastaj në mushkeri, pastaj në arterien e zemrës edhe ky i fundit operacioni në mitër, vetëm kur e paramendojmë më duket si ëndërr por një zonjë e fortë ia doli përsëri. Terapi të shumta: 12 kimioterapi, 5 rrezatime. Ne e dimë që kanceri nuk është një ylber, hënë, diell që shkëlqen jetën tonë nuk është një yll që bën dritë në netët e vona, nuk është flutur me ngjyra, kanceri mund të jetë i vështirë dhe shpesh parashtrohet pyetja se a do ti’a dalim po zonja në fjalë ia doli. Më kujtohet si sot në dasmën e vajzave të saja Besimes dhe Havës, ajo për disa çaste e la dasmën dhe iku në spital për të kryer disa analiza ehh jeta sa batica e zbatica ka.

Pas disa çastesh u kthy përsëri në dasëm e buzëqeshur sikur asgjë nuk i kishte ndodhur. Ajo që i ndihmoi të jetë këtu me ne përsëri është dashuria e saj e thellë dhe shumë e thellë për jetën, besimi saj se ia vlen të luftohet në jetë. Mendoj gjithashtu, aftësinë dhe gatishmërinë e saj për të menduar jashtë ‘’kutisë’’ dhe për të bërë pyetje dhe për të zbuluar se si të mbijetojë dhe të përparojë me të vërtetë.

Ka gjithmonë shpresë për jetë, edhe pse kjo shpresë nganjëherë ndryshon. Kjo do të thotë diçka ndryshe për secilin njeri në çdo situatë të caktuar. Për zonjën në fjalë shumë ngjason kjo thënie: “ Dua që njerëzit të dinë kur dëgjojnë fjalën kancer, nuk duhet të lidhen më me vdekjen. Kur mjeku më tha se kisha kancer unë nuk mendova për vdekjen. Gjeta një mënyrë për ta fituar atë. Nuk më pëlqen termi” i mbijetuar “. Më pëlqen” fituesi “. Për mua, mbijetesa duket sikur diçka fryn brenda dhe jashtë ngjason me një stuhi.’’Zonjë ju duhet të jeni krenare dhe e keni mësuar se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetën tuaj.

Mos harxho shumë kohë për t’u shqetësuar, sepse vetëm harxhon energji që mund të përdoret për të bërë diçka kuptimplote.Të lumtë ia dole edhe kësaj rradhe!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu