Franca mbështet anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL

Franca ka rikonfirmuar mbështetjen e saj ndaj Kosovës në fushën e sigurisë. Mbështetjen e rikonfirmuar nga Franca e kanë marrë gjatë një vizite që kanë zhvilluar atje ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë Samedin Mehmeti dhe shefi i Njësisë për Trajtimin e Materieve Eksploduese Muhamet Rushiti, të cilët qëndruan në vizitë disaditore në Paris të Francës.

Në një komunikatë për media nga MPB-ja thuhet se qëllimi i vizitës ishte realizimi i takimeve të ndërsjella dhe pjesëmarrja në panairin prestigjioz të MILIPOL-it, për shqyrtimin e zhvillimeve teknologjike nga fusha e sigurisë, të cilat do të ndihmojnë avancimin e kapaciteteve institucionale relevante të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite delegacioni në fjalë realizoi disa takime të rëndësishme me personalitete të larta nga Franca, ndër to drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti realizoi një takim të veçantë me drejtorin e policisë nacionale të Francës z. Jerome Leonnet dhe përfaqësues të tjerë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, potencoi se policia e RKS-së mbetet të jetë partnere e dëshmuar dhe e besueshme e Francës dhe se bashkëpunimi midis Policisë së RKS-së me institucionet përkatëse të Francës është i shkëlqyeshëm”, thuhet në komunikatë.

Gjatë kësaj vizite thuhet se Franca ka konfirmuar mbështetjen e saj për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL.

“Pikë diskutimi në takim ishte përkrahja e Francës në procese të ndryshme, duke përfshirë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, EUROPOL etj., për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Nga ana tjetër, u rikonfirmua vullneti i Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy institucioneve në fushën e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit të mëtejmë, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore”, thuhet në komunikatën e MPB-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu