Deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, i cili pak ditë më parë u lirua nga paraburgimi si i akuzuar për sulmin në Kuvend, doli në foltore për t’ua bërë një pyetje deputetëve të PDK-së e LDK-së, por fjalën nuk arriti ta përfundonte.
Kryetari, Kadri Veseli, ia ka ndërprerë atij fjalimin, duke thënë se ai nuk mund t’i shesë patriotizma askujt, raporton KTV.
Madje i pari i legjislativit me ton të lartë ka urdhëruar Krasniqin të ulet në vendin e tij.
Me të njëjtin ton Veseli foli edhe me shefin e deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Në shenjë proteste ndaj kësaj, Vetëvendosje e ka lëshuar sallën, derisa në hollin e Kuvendit para gazetarëve kanë dalë Konjufca e Krasniqi.
Konjufca e ka quajtur “gangster” Veselin e Krasniqi tha se në rastin e tyre ka dorë Kadri Veseli.
Deputeti Frashër Krasniqi ka thënë se pyetjen ndaj deputetëve do ta përsërisë në çdo seancë derisa t’i jepet mundësia ta bëjë atë. E pyetjen e ka bërë para kamerave.
“Kam pas të ja bëjë një pyetje atyre deputetëve të PDK-së e LDK-së që prej këtij podiumi na kanë quajtur neve terroristë, e nuk i është ndalur fjala kurrë. Na kanë quajtur terroristë pa pasur asnjë vendim gjyqësor. Kam pasur t’i pyes çka doni me thënë sot para qytetarëve të Kosovës, para nënave tona, para familjeve tona. A doni me dal me u bo korrekt e me kërku falje që qe dy vjet na keni maltretu me një rast të montuar politik”, ka thënë Krasniqi.
Pas këtij rasti, në takim të jashtëzakonshëm është mbledhur Komisioni për Legjislacion për të diskutuar për shkeljen e rregullores që siç thanë, ka bërë kryetari Veseli në këtë rast, por nuk pati kuorum.
Ndërkohë, ish-lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e ka quajtur të papranueshme dhe të patolerueshme sjelljen e Kadri Veselit.
“Deputetët e PDK-së dhe të LDK-së, Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adean, nga ajo foltore i kanë quajtur me dhjetëra herë terroristë – pa asnjë fakt e bazë, e kurrë nuk u është ndërprerë fjala. Pse u frikësua e sikletos aq shumë Kadri Veseli nga e vërteta që deshi t’ua thoshte Frashëri?! Ka shkruar ndër të tjera në Facebook Ymeri.
Ka reaguar edhe shefi i deputetëve të LDK-së Avdullah Hoti.
Ai ka thënë se kryetari i Kuvendit po kalon nga një ekstrem në tjetrin.
“Në kohën kur është dashur të ndalojë hedhjen e vezëve dhe gazit lotsjellës, që ka ngjarë dhjetëra herë në këtë Kuvend, ai jo që nuk e ka ndaluar hedhjen e gazit, por nuk ka sjellë asnjë masë siç e parasheh Rregullorja e Punës e Kuvendit. Deri dje lejonte të futej dhe hidhej gaz në Kuvend, kurse sot u merr fjalën deputetëve?!!!
Kështu nuk menaxhohet institucioni më i lartë i shtetit. Prandaj duhen ndryshime”, ka shkruar Hoti.










