FSK i “afrohet” kufirit me Maqedoninë

Trupat e njësive të FSK-së do të jenë në lëvizje në të gjithë vendin gjatë 24 orëve, me qëllim ushtrimi, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin lëvizje më të theksuara në rajonin e Prizrenit, Malishevës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit

Forca e Sigurisë së Kosovës do të realizojë ushtrimin fushor “Shqiponja 5’’. Ky aktivitet do të fillojë nga data 22 tetor, deri më 28 tetor.

Stërvitja e përgjithshme ,,Shqiponja 5’’ sipas njoftimit për media, është planifikuar deri në detaje nga grupet planifikuese të FSK-së të mbështetura nga ekspertë të fushave të ndryshme nga Garda Kombëtare e shtetit Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) dhe do të realizohet në bashkëpunim me institucionet dhe agjencitë civile vendore për reagim ndaj emergjencave.

Trupat e njësive të FSK-së do të jenë në lëvizje në të gjithë vendin gjatë 24 orëve, me qëllim ushtrimi, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin lëvizje më të theksuara në rajonin e Prizrenit, Malishevës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.

“Prandaj, njoftojmë opinionin se gjatë ditëve në vazhdim trupat e FSK-së do të lëvizin nëpër rrugët e vendit. Aty ku do të realizohen ushtrimet lëvizjet do të jenë më të shtuara, dhe e gjithë kjo do të bëhet pa penguar lëvizjen e lire të qytetarëve, pa cenuar pronën dhe pasurinë e tyre. Ushtrimi ka për qëllim përgatitjen e njësiteve tona, që në raste të fatkeqësive të vërteta të jenë në gjendje që në kohë sa më të shkurtër t`u dalin në ndihmë qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Ushtrimi fushor ,,Shqiponja 5”, do të realizohet në kuadër të Planit vjetor dhe në funksion të realizimit të objektivave të Ministrit dhe Komandantit të FSK-së, si dhe do të vëzhgohet nga një numër i madh ushtarakësh nga disa shtete të ndryshme. Ardhjen e kanë konfirmuar vëzhgues nga ShBA, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria etj.

“Shqiponja 5’’ është planifikuar nga grupet planifikuese të FSK-së të mbështetura nga ekspertë të fushave të ndryshme nga Garda Kombëtare e shtetit Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA). Kontribut gjithashtu kanë dhënë edhe Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në(NALT) dhe Komanda Amerikane për Evropë(US ARMY EUROPE), të cilët në vazhdimësi janë pjesë e procesit të zhvillimit dhe ecjes përpara të FSK-së.

Qëllimi i ushtrimit fushor ,,Shqiponja 5’’ është trajnimi i liderëve dhe njësive për detyrat kolektive, me qëllim të ngritjes së nivelit reagues të kapaciteteve operacionale, testimi i kapaciteteve ekzistuese nga njësitë e nivelit taktik dhe operacional, dhe testimi i ndërveprueshmërisë me institucionet tjera vendore të sigurisë e gjithashtu edhe verifikimi i arritjeve të deritashme si dhe mbajtja e nivelit të gatishmërisë për reagim në rast të fatkeqësive, etj.

“Shqiponja 5’’është ushtrimi fushor i përgjithshëm i FSK-së, i cili mbahet çdo vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ku marrin pjesë të gjitha njësitë taktike dhe operacionale të FSK-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu