Gafa e Ramës futi Kosovën në hartën e Serbisë. Furtunë në Prishtinë, jehonë në Beograd

Ashtu sikurse pritej skandali i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me hartën e publikuar në faqen e tij në të cilën Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, nuk ka kaluar pa u raportuar edhe ne mediat serbe. “Kosova është në shok”, shkruan B92, duke iu referuar reagimeve që kjo gafë ka ngjallur në Prishtinë. I pari që ka reaguar ka qenë zyrtari i LDK’së, Arben Gashi, i cili ka pyetur Ramën se ku është Kosova. “I pa dashtun kryeministër, ku është Kosova??”, ka shkruar Gashi në faqen e tij zyrtare në facebook.

Historiani Jusuf Buxhovi i pyetur nga Gazeta Express lidhur me këtë çështje është shprehur se kjo nuk është asgjë e re, duke e pasur parasysh kursin e qeverisë Rama në raport me Kosovën.

“Asgjë e re dhe e jashtëzakonshme nëse kihet parasysh kursi i Tiranës zyrtare, veçmas qeverisë Rama, viteve të fundit në raport me Kosovën, ku bie në sy përpjekja që të bëjë pazare me Serbinë në dëm të saj”, ka thënë Buxhovi.

Duke komentuar skandalin e fundit të kryeministrit të Shqipërisë me hartën e Kosovës brenda territorit të Serbisë, Buxhovi tha se nuk duhet të përjashtohet mundësia që Edi Rama të shpallet “persona non grata” në Kosovë. “Veprimi më i ri i Ramës, duhet parë si pjesë e komplotit politik kundër shtetit të Kosovës për interesat serbo-ruse në rajon, që nga politika e Kosovës duhet ndalur sa më parë dhe me të gjitha mjetet pa përjashtuar mundësinë që ai të shpallet persona non grata”, ka thënë Buxhovi.

Ka reaguar gjithashtu edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili e ka quajtur një akt flagrant të tradhtisë kombëtare. ‘Zografi bis në një akt flagrant të tradhëtisë kombëtare fshin Kosoven si shtet i pavarur dhe e paraqet atë si territor të Serbisë! ka shkruar Berisha duke ripostuar edhe hartën e publikuar nga kryeministri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu