Gazeta italiane “La Repubblica”: Moska ndez konfliktin në Kosovë

“Moska ndez konfliktin në Kosovë”. Ky është titulli i gazetës italiane “La Repubblica”, referuar ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës.

Në artikullin e gazetës italiane, shkruhet se politikanët dhe policët serbë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër Qeverisë së Kosovës dhe se për këtë “kryeministri akuzon Rusinë” dhe se “Beogradi e ka vendosur ushtrinë në gatishmëri”.

“Këtë herë shpërthimi është edhe më afër Italisë. Një zjarr mbi të cilin fryjnë me kokëfortësi emisarët e Kremlinit, me të njëjtin synim si për pushtimin e Ukrainës, të vihet në dyshim arkitektura e sigurisë në Evropë e projektuar në tridhjetë vitet e fundit. Duke filluar nga ku filloi gjithçka, Ballkani. Dje në Kosovë përfaqësuesit e minoritetit serb dhanë dorëheqje. Një ministër, dhjetë deputetë, drejtues të pushtetit vendor, zyrtarë policie kanë vendosur të largohen nga postet e tyre. Shkak i përplasjes është sinjalistika rrugore. Qeveria e Prishtinës ka imponuar miratimin e targave të Kosovës, ndërsa pakica dëshiron të mbajë ato serbe. Një komisioner refuzoi t’i përmbahej rregullave të reja dhe u shkarkua. Duke provokuar një protestë që rrezikon të përshkallëzohet në konflikt.

Demonstrata në rrugë janë paralajmëruar edhe në qytetet veriore ku jetojnë serbët. Dhe ka pasur raportime për lëvizje të njësive kosovare kundër trazirave, të drejtuara drejt atyre qendrave. Përtej kufirit, Beogradi ka forcuar edhe dislokimin e forcave të tij, të cilat janë vënë në gatishmëri pas shikimit të dronëve të dyshimtë. Me pak fjalë, një shkëndijë që mund të ndezë gjithë vendin. Në Prishtinë dje, kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për të mos bojkotuar institucionet, duke u bërë thirrje serbëve etnikë që “të mos bien pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”. Më pas ai akuzoi Beogradin: “Po bëhet instrument i Kremlinit”, shkruan “La Repubblica”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu