Georgia Meloni rrezikon të sabotojë projektin evropian të Emmanuel Macron

Ngjitja në pushtet e kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe partisë së saj Fratelli d’Italia (Vëllezërit Italianë), një parti me rrënjë në lëvizjen fashiste të Benito Mussolinit, ka ngritur më shumë se disa shqetësime. Së pari për tregjet dhe partnerët ndërkombëtarë të Italisë, veçanërisht në Evropë, ku shqetësimi kryesor duket se është se financat e dobëta publike dhe destabiliteti politik në rritje, do të shkaktojnë në një krizë të re fiskale.

Por rreziku shumë më i madh është një këputje e mundshme nga tradita e gjatë të Italisë e mbështetjes së integrimit evropian. Ndërsa Meloni e sheh veten si mikesha më besnike e SHBA-së në Evropë, politika e saj evropiane është më pak e qartë.

Ne e dimë që e ajo kundërshton fuqimisht projektin e një “bashkimi gjithnjë e më të ngushtë”, që ishte mbështetur prej kohësh nga klasa politike italiane. Në vend të kësaj, ajo mbështet një strukturë minimaliste të Bashkimin Evropian, bazuar në koordinimin e lirshëm të politikave vetjake kombëtare.

Tani për tani, Meloni ka shumë të ngjarë të tregohet e kujdesshme për të mos e sfiduar hapur procesin e integrimit evropian. Ajo e di se e ardhmja e BE-së nuk është aspak e sigurt, dhe se Italia do të varet nga mbështetja e saj ekonomike edhe për një të ardhme të parashikueshme.

Por sjellja e balancuar e Melonit mund të dështojë në disa fusha, përfshirë negociatat për masat e mbështetjes fiskale të lidhura me energjinë, miratimin e një Mekanizmi të reformuar Evropian të Stabilitetit (që nuk është nënshkruar ende nga Gjermania dhe Italia), reformën e Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes si dhe politikën ndaj migracionit.

Vlen të përmendet se gjatë fushatës së saj, Meloni përdori një ton të moderuar në lidhje me çështjet ekonomike, por ajo përdori një zhargon me përmbajtje raciste për çështje si emigrimi i paligjshëm. Në një periudhë afatshkurtër, shumë gjëra do të varen nga evoluimi i situatës ekonomike.

Italia i ka befasuar të gjithë me një performancë shumë të mirë ekonomike në 3-mujorin e tretë të këtij viti, gjë që nënkupton se rritja për vitin do të jetë më e lartë se sa pritej, duke ofruar një hapësirë ​​fiskale të dobishme.

Nëse Italia arrin parashikimin e saj zyrtar prej 0.6 për qind rritje të PBB-së vitin e ardhshëm – bazuar pjesërisht në efektin e parashikuar shumëfishues të parave të ofruara nga programi NextGenerationEU (NGEU) i financuar nga BE, të cilin Italia do të nisë ta shpenzojë vitin e ardhshëm, opsionet e Melonit do të zgjerohen më tej.

Një rritje më e lartë e PBB-së nominale, mund të çojë në një rënie të lehtë të nivelit të borxhit. Në këtë skenar, qeveria e Melonit mund të shpenzojë në parim rreth 20 miliardë euro për mbështetjen e familjeve dhe kompanive të goditura nga çmimet e larta të energjisë, dhe të kryejë një version minimalist të reformës tatimore dhe atë të sistemit të pensioneve, të cilat ajo i premtoi gjatë fushatës, pa ndonjë masë të madhe me pasoja për financat publike të Italisë.

Ajo mund të krijojë më shumë hapësirë ​​fiskale për një skemë të tillë, duke rikthyer skemën e të ardhurave minimale të garantuara, të zbatuar në vitin 2019 nga qeveria e Giuseppe Conte. Qeveria e Melonit synon një deficit prej 4.5 për qind për vitin 2023. E gjitha kjo tingëllon si krejtësisht e arsyeshme.

Por objektivat zyrtarë varen nga çmimet e gazit, të cilat po e vazhdojnë prirjen e tyre rënëse kohët e fundit, nga administrata publike që i shpenzon fondet e NGEU, por edhe nga rritja e PBB-së që përmbush parashikimin mjaft optimist të qeverisë.

Për momentin asnjë nga këto nuk është e garantuar. Nëse çmimet e gazit do të rriteshin sërish, qeveria e Melonit do të detyrohej të miratonte masa të reja mbështetëse, të cilat nuk do të financoheshin nga taksat. Ndërsa një sezon i mirë turistik e ka forcuar ekonominë e Italisë, shumë shpejt do të bëhet e qartë se sa rëndë janë goditur familjet dhe korporatat nga kriza energjetike.

Kjo ndihmon edhe në shpjegimin e arsyes pse Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një parashikim më pak optimist prej vetëm -0.2 për qind rritje në vitin 2023, ndërsa Komisioni Evropian ka publikuar një parashikim për një rritje prej 0.3 për qind.

Shtrëngimi i politikës monetare krijon rreziqe të mëtejshme, pasi ndikon si në koston e kredisë ashtu edhe në atë të ri-financimit të borxhit. Testi i aftësisë së Italisë për t’i bërë ballë këtyre rreziqeve do të ndodhë në pranverën e vitit që vjen, kur do të diskutohet për buxhetin e vitit 2024.

Në atë moment, ne do të kemi po ashtu një ide më të qartë mbi ecurinë e inflacionit, dhe rrjedhimisht edhe të trajektores së politikës së Bankës Qendrore Evropiane. Nëse pozicioni fiskal i Italisë bëhet sërish i paqëndrueshëm, qeveria e Melonit duhet të shpresojë se partnerët e saj evropianë do të tregojnë solidaritet, si përmes një tolerance më të madhe në zbatimin e rregullave të përbashkëta fiskale, ashtu edhe duke mbi detyrimet e papaguara.

Pra do të kemi një qeveri italiane që beson se BE-ja duhet të jetë më solidare me vendet e anëtare, që kanë më shumë probleme dhe që janë më të rrezikuara. Por në kushtet kur Evropa po përballet me një krizë energjetike, shumë vende të BE-së do të hezitojnë të ndajnë rreziqet e të tjerëve.

Kapërcimi i kësaj rezistence, do të kërkojë një nivel të lartë rreshtimi politik midis lojtarëve më të mëdhenj të unionit, së bashku me një angazhim të besueshëm të Romës për reforma, si baza për një integrim më të madh të unionit.

Në rast se BE-ja do të refuzonte t’i jepte mbështetjen e nevojshme, qeveria e Melonit ka shumë të ngjarë ta fajësojë Brukselin për problemet e Italisë dhe dështimet e saj. Kjo gjë do të kishte pasoja të rënda të brendshme, sidomos nëse qeveria Meloni do të largohej nga rruga e reformave, në të cilën ishte i angazhuar paraardhësi i saj, Mario Draghi.

Dhe Meloni ka tashmë një nxitje për ta bërë këtë:disa nga reformat dëmtojnë interesat e bazës elektorale të koalicionit të saj qeverisës. Por pa këto reforma, Italia nuk mund të ketë qasje në grantet dhe kreditë e saj.

Përtej ndikimit në Itali, ndjekja e një qasjeje anti-BE nga anëtari i tretë më i madh i Bashkimit Evropian do të kërcënonte të ardhmen e projektit evropian, duke zhbërë përpjekjet e udhëhequra nga figura si presidenti francez Emmanuel Macron, për të çuar përpara reformat e nevojshme institucionale në mbështetje tëë një integrim më të madh politik dhe ekonomik.

Mos kini asnjë iluzion:një integrim i tillë është thelbësor për ta bërë BE-në të aftë të përballet me sfidat më të mëdha me të cilat përballen sot evropianët. Por forcat përçarëse në bllok po bëhen më të forta.

Lufta në Ukrainë ka forcuar pozitën e vendeve të Evropës Lindore dhe Baltike, të cilat i shohin lidhjet e forta me Shtetet e Bashkuara si një alternativë ndaj thellimit të integrimit evropian. Nëse Italia i bashkohet këtij kampi, kjo do të ishte një katastrofë për BE-në.

Pa një vizion të përbashkët, unioni do të mbetej në thelb i paqëndrueshëm. Por formulimi i një vizioni të tillë, siç po përpiqet të bëjë Macron, kërkon goxha punë siç është edhe arritja e konsensusit për çështje të vështira, si dhe për zbatimin e reformave të vështira të qeverisjes.

Është shumë më e lehtë të veprosh si një sabotator:për këtë mjafton të pengohet përparimi, dhe shembja e ngrehinës bëhet praktikisht e pashmangshme. Kjo dhe jo një krizë tjetër fiskale, është në fakt rreziku real që paraqet qeveria e Georgia Melonit.

Shënim: Lucrezia Reichlin, ish-drejtoreshë e kërkimit në Bankën Qendrore Evropiane, dhe profesore e ekonomisë në Shkollën e Biznesit në Londër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu