Gjashtë nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimet profesionale në Shqipëri, në kuadër të avancimit të lidershipit dhe ngritjes së kapaciteteve të trupës së nënoficerëve.
Lajmi është bërë i ditur nga FSK-ja, përmes një njoftimi, ku bëhet e ditur se trajnimet janë mbajtur në Qendrën e Përgatitjes Profesionale të Nënoficerëve në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë ceremoni u shënua përfundimi i Kursit të Kryekapterit, Kursit të Avancuar dhe Kursit Bazë të Nënoficerit, ku morën pjesë kursantë nga Shqipëria dhe Kosova.
Sipas FSK-së, gjashtë nënoficerët kosovarë dëshmuan përkushtimin dhe angazhimin në ngritjen profesionale dhe zhvillimin e aftësive udhëheqëse.FSK-ja ka theksuar se zhvillimi i një trupe profesioniste të nënoficerëve, e aftë për të udhëhequr me shembull dhe për të rritur gatishmërinë operacionale të njësive, mbetet një ndër prioritetet e saj.
“Investimi në zhvillimin profesional të nënoficerëve është investim në lidership, profesionalizëm dhe gatishmëri operacionale”, thuhet në njoftim.










