Gjermania e prerë: Kërkesa për dërgimin e forcave të Serbisë në Kosovë krejtësisht e papranueshme

Pas situatës së fundit të krijuar në veri të Republikës së Kosovës, Serbia edhe zyrtarisht i ishte drejtuar NATO-s me kërkesë për vendosjen e 1 mijë trupave në Kosovë me pretekstin se populli serb që jeton në veri “ka nevojë për mbrojtje”.

Nga KFOR-i dje i kanë thënë Gazetës Express se ende janë duke e shqyrtuar atë kërkesë të Serbisë, ndërkohë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë thënë se shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock ka potencuar qysh në dhjetor se një kërkesë e tillë e Serbisë për dërgimin e forcave ushtarake në Kosovës është krejtësisht e papranueshme.

Siç ka deklaruar publikisht Ministrja e Jashtme Baerbock në Twitter më 11 dhjetor 2022: “Propozimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është plotësisht i papranueshëm…”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë për Gazetën Express.

Tutje, Ambasada gjermane në Prishtinë thekson se qëndrimi i Berlinit zyrtar është se e vetmja rrugë për të shmangur tensionet dhe për të normalizuar përfundimisht raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë është dialogu.

Gjithashtu theksojnë se normalizimi i raporteve është parakusht për anëtarësimin në Bashkim Evropian për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Për këtë arsye, potencojnë se Gjermania përkrah plotësisht përpjekjet e emisarit sllovak Miroslav Lajcak për lehtësim të mëtejshëm të dialogut Prishtinë-Beograd.

Vazhdimi i dialogut është e vetmja rrugë për të shmangur tensionet dhe për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu është një parakusht për anëtarësimin e tyre të ardhshëm në BE. Prandaj Gjermania i mbështet plotësisht të gjitha përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajcak në lehtësimin e mëtejmë të dialogut”, përfundon përgjigja për Gazetën Express.

Qëndrimi gjerman për kërkesën serbe e ka penguar lidershipin e Serbisë të cilët s’kanë nguruar që të sulmojnë zyrtarët gjermanë, përfshirë ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic e kishte quajtur diplomatin gjerman si “anti-serb”.

Situata në veri të Republikës së Kosovës aktualisht është e qetë meqë pas një marrëveshje politike të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe Washingtoni është arritur pajtim për heqje të barrikadave, meqë Kosova u ka dhënë garanci ndërkombëtarëve se s’ka listë të njerëzve të barrikadave për t’u arrestuar.

Ndërkohë edhe KFOR-i kishte dalë me një komunikatë se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të shkojë në veri të Republikës së Kosovës vetëm pas miratimit paraprak nga komandanti i KFOR-it.

Për të rinisur dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë përgjatë këtij muaji pritet që në Kosovë të zbarkojnë këshilltarët e Scholz dhe Macron bashkë me të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në komunikatën e përbashkët që ka lëshuar BE dhe SHBA në fund është potencuar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog. Një gjë të tillë për Express e kanë ritheksuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit duke thënë se marrëveshjet e arritura në dialog duhet të përmbushen plotësisht dhe pa vonesa.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu