Gjermania ndalon eksportin e armëve për Arabinë Saudite

Gjermania njoftoi të dielën se do të ndalojë eksportet e armëve në drejtim të Arabisë Saudite si pasojë e dyshimeve mbi shpjegimin e Riadit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetarët pas një takimi të partisë së saj Unionit Kristian Demokratik (CDU) në Berlin, kancelarja Angela Merkel kërkoi sqarime urgjente për vrasjen e Khashoggit.

“Sa i përket eksporteve të armëve, ato nuk mund të ndodhin në kushtet aktuale”, tha Merkel.

Ajo gjithashtu nënvizoi se Berlini do të zhvillojë bisedime me partnerët e saj ndërkombëtarë për një reagim të përbashkët.

Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një sherri brenda konsullatës.

Në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplanë dhe vizituan konsullatën, në kohën kur gazetari ishte ende brenda, kanë njoftuar burime të policisë turke. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim të enjten, pasi kreu ekzaminime në rezidencën e konsullit dhe Konsullatën Saudite në Stamboll.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu