Gjuha shqipe në Maqedoni mes Ohrit dhe Venecias

Mendimi i ekspertëve të Komisionit të Venecias për Ligjin për gjuhët për disa do të implementohet në Ligj, ndërsa për të tjerët fjalën e fundit do ta japë Parlamenti. Kreu shtetëror me qëndrim se duhet të pritet versioni përfundimtar dhe më pas të komentohet qëndrimi i Komisionit. Kryeministri Zoran Zaev të martën deklaroi se Qeveria është e gatshme ta implementojë mendimin e ekspertëve sepse, sipas tij, tërë atë që e propozojnë është në nivel të praktikave evropiane, shkruan gazeta KOHA.

“Thamë se e respektojmë Komisionin e Venecias, i cili do ta japë mendimin e tij final, sepse deri më tani siç komentuan, që është më e rëndësishme se sundimi i së drejtës dhe pritja që të fitohet drejtësi ose përdorimin e gjuhës. Mund të japim sqarime se sa janë të rëndësishme e drejta e gjuhës dhe e drejtësisë, që në fund të mund të japim mendimin tonë dhe të munden ata ta formojnë mendimin e tyre”, tha kryeministri Zaev.

Në anën tjetër, një mendim paksa më të nuancuar mbi këtë problematikë e ka Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili konsideron se Ligji për gjuhët është një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ligj me të cilin mund të themi se pjesa administrative e Marrëveshjes së Ohrit është mbyllur. “Secili kthim prapa do të nënkuptojë hapjen e Marrëveshjes Kornizë dhe negociata të tjera”, potencon zëvendëskryeministri Osmani. Megjithatë, ai theksoi se rekomandimet finale nga Komisioni i Venecias do të shqyrtohen dhe do të merren parasysh, por vendimet sillen në Parlament. “Ka versione të punës, nuk ka raport. Unë kam parë version pune në të cilin thuhet se dygjuhësia e bankënotave dhe e uniformave të ushtrisë është e mirë. Për këtë them se janë versione të punës, që japin pikëpamje të ndryshme për raportues të ndryshëm në lidhje me këtë çështje”, përsëriti zëvendëskryeministrit Bujar Osmani. Shefi i shtetit, Stevo Pendarovski dje tha se bëhet fjalë për projekt të dokumentit i cili, sipas tij, ka rrjedhur nga disa arsye personale ose politike para kohe.

“Nuk do të doja të prononcohem në një pjesë të dokumentit të rrjedhur në opinion , që është një faqe ose dy, dhe që nuk do të thotë se është version përfundimtar”, tha Pendarovski.
Ministria e Drejtësisë dje theksoi se nuk do ta komentojë mendimin e ekspertëve të Komisionit të Venecias për Ligjin për gjuhët deri në miratimin e tij nga komisioni kur bëhet zyrtare. “Mendimi i ekspertëve të Komisionit të Venecias është cilësuar deri në miratimin e tij nga Komisioni kur bëhet zyrtare. Deri në zyrtarizimin e tij nuk do ta komentojmë, ndërsa sapo do të miratohet do ta fillojmë procesin e zbatimit të rekomandimeve që i përmban në të”, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë së fundmi, pres-shërbimi i Komisionit të Venecias kumtoi se Komisioni e ka anuluar sjelljen e mendimit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Raporti ishte vënë në rendin e ditës së seancës plenare të 120-të të Komisionit të Venecies të caktuar për më 11 dhe 12 tetor në Venecie. Komisioni ishte ftuar të këmbejë mendime me përfaqësuesin e Maqedonisë së Veriut, për ta shqyrtuar, në pikëpamje të miratimit të tij. (koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu