Fëmijët të cilët flenë mjaftueshëm kanë shumë më pak gjasa të bëhen të trashë, ka treguar një studim i ri i publikuar të martën në revistën “Pediatrics”.
Shkencëtarët nga Universiteti Chicago për shtatë ditë kanë përcjellë shprehitë e gjumit të rreth 300 fëmijëve dhe kanë zbuluar që vetëm disa kanë fjetur 10 orët e rekomanduara në ditë. Shumica e tyre kanë fjetur vetëm tetë orë në ditë, transmeton koha.net.
Është zbuluar që fëmijët e trashë jo vetëm që nuk flenë mjaftueshëm, por edhe në shtrat nuk shkojnë me rregull.
“Rreziku më i madh për trashje shfaqet tek ata fëmijë të cilët nuk flenë në mënyrë të rregullt”, ka rrëfyer profesori David Gozal.
Fëmijët të cilët gjatë vikendit kompensojnë orët e domosdoshme të gjumit janë më pak të prirur ndaj trashjes se ata të cilët nuk i kompensojnë këto orë, është theksuar në studim.