Real Madridi do ta nisë aventurën në Ligën e Kampionëve ndaj Interit pa tre prej lojtarëve të tij kryesorë, pasi Arda Guler, Eduardo Camavinga dhe Bernardo Silva do të mungojnë për shkak të pezullimeve të bartura nga edicioni i kaluar i kompeticionit.
UEFA i anulon kartonët e verdhë të grumbulluar në përfundim të çdo sezoni, por pezullimet e shkaktuara nga kartonët e kuq mbeten në fuqi dhe bartën në edicionin pasues.
Arda Guler dhe Eduardo Camavinga u ndëshkuan me kartonë të kuq pas dy të verdhëve në ndeshjen çerekfinale ndaj Bayern Munichut, duke u dënuar me nga një ndeshje pezullim.
Ndërkohë, Bernardo Silva mori karton të kuq direkt gjatë kohës kur luante për Manchester Cityn, pasi përdori dorën për të ndalur një goditje që po shkonte drejt portës në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8 së finales ndaj Real Madridit.
Nëse UEFA nuk vendos për ndonjë masë të jashtëzakonshme, trajneri Jose Mourinho nuk do të ketë në dispozicion asnjërin prej këtyre tre futbollistëve për përballjen e shumëpritur ndaj Interit, e cila do të zhvillohet më 8 shtator në “Santiago Bernabeu”.
Mungesa e tyre përbën një goditje të rëndësishme për Real Madridin, që synon ta nisë me fitore rrugëtimin në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube. /Telegrafi/










