Greqia rrit pagën minimale për herë të dytë brenda vitit, shkon në nivelet përpara krizës

Greqia do të rikthejë pagën minimale të 10 viteve më parë, përpara se paga të ulej për shkak të krizës ekonomike, duke e çuar në 751 euro.

Kjo rritje vjen si pjesë e një pakete ndihme për qytetarët që jetojnë në Greqi, e që po përballen me rritjen e çmimeve kryesisht të energjisë elektrike që u shkaktua prej luftës në Ukrainë.

Këtë paketë “bujare”, e cila do të hyjë në fuqi më 10 shtator, e prezantoi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, të martën.

Disa prej masave do të jenë të karakterit emergjent dhe të përkohshme, sa për të përballuar krizën muajt e ardhshëm, ndërsa të tjera, siç është rritja e pagës minimale, do të jetë e qëndrueshme.

Kështu, paga minimale në Greqi do të jetë 751 euro, nga 713 që ishte, duke shënuar kështu herën e dytë që Greqia rrit pagën minimale brenda vitit. Kujtojmë se më 1 maj të këtij viti, qeveria greke rriti pagën minimale nga 650 euro në 713.

Kujtojmë se Greqia doli zyrtarisht këtë muaj prej krizës së borxheve ndaj BE-së, që nisi në vitin 2010. Komisioni Evropian më 10 gusht bëri me dije se Greqia ka përmbushur pjesën më të madhe të angazhimeve financiare.

Greqia po e rimerr veten pas edhe një sezoni tejet të suksesshëm turistik ku raportohet se të ardhurat janë parashikuar rreth 20 miliardë euro. Duket se këto përfitime Greqia po i kanalizon në shërbim të qytetarëve, duke shtuar paketat e ndihmës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu