Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz me deklaratën e saj të fundit lidhur me raportet e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian e ka arsyetuar tërthorazi mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
Schwarz me deklaratën e saj në Forumin e Dubrovnikut ka thënë se Kosova dhe vendet e Ballkanit nuk duhet ta fajësojnë Bashkimin Evropian për gabimet e veta, madje ajo ka numëruar një sërë “arsyesh”, pse s’janë liberalizuar ende vizat, pavarësisht se me raportet e BE’së, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
“Për këtë arsye, e më shumë për veten tonë, ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, duhet që ta zbatojmë sundimin e vërtetë të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, duhet të garantojmë liri të medias, duhet të zhvillojmë vërtetë reformën në drejtësi… nuk ia kemi dalë akoma, dhe nuk kemi arsye ta fajësojmë Evropën për gabimet tona”, citohet të ketë thënë Schwarz, njofton Klan Kosova.
Ndërsa, kjo deklaratë e saj është në kundërshtim me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, shefit të saj në qeveri, Albin Kurtit, ndonëse një pjesë e saj edhe përkon me atë çfarë tha Kurti.
Megjithatë, Kurti në Samitin e Prespës pati deklaruar që Bashkimi Evropian është i ngadaltë. Ai duke folur për mos-hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kishte thënë se e kupton frustrimin e tyre për shkak të mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Si vend që na është mohuar liberalizimin i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj. BE-ja është e ngadaltë, i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi. Ne i takojmë këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe jemi shtete fqinje të shteteve të BE-së”, kishte thënë Kurti në Samitin e Prespës.
Mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen e mosliberalizimit të vizave, por deri më tani, deklaratat e zyrtarëve kryesorë janë jo-koherente.









