Haradinaj i drejtohet LDK-së: VV po kërkon pushtet absolut mbi gjithçka, mos i lejoni

Këshilltarja e kryeministrit në largim, Meliza Haradinaj me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook ka hedhur kritika të forta në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj thotë se po shihet qartë se VV-ja po kërkon pushtet absolut mbi gjithçka.

Ajo thekson se LDK-ja si parti institucionale nuk duhet të lejojë një monopolizim të tillë të shëmtuar të pushtetit, dhe t’ia mundësojë një tjetërsim të tërësishëm  sistemit demokratik në vend, raporton Gazeta Blic.

Në mes të dramës paszgjedhore kosovare, dhe mjegullës politike të krijuar gjatë negociatave për koalicion, po shihet qartë që sipas gjitha gjasave, VV dëshiron ‘pushtet absolut’ mbi institucionet e rëndësishme të Kosovës, respektivisht me Kryeministër, President, dhe Ministër të Brendshëm.

Kjo na tregon se Albin Kurti synon ‘të kontrollojë’ plotësisht dekretimin e gjyqtarëve, prokurorëve, respektivisht edhe funksionimin e Gjyqësorit, Prokurorisë, AKI-së, dhe Policisë, duke mos eliminuar edhe mundësinë e udhëheqjes me Ministrinë e Jashtme, e cila do e monopolizonte tërësisht edhe propozimin dhe emërimin e ambasadorëve e diplomatëve, duke kontrolluar absolutisht edhe politikën e jashtme.

Besoj se 75% e qytetarëve që nuk e kanë votuar Vetëvendosjen, presin nga LDK – si parti me traditë shtetformuese dhe institucionaliste, që të mos lejojë një monopolizim të tillë të shëmtuar të pushtetit, dhe t’ia mundësojë një tjetërsim të tërësishëm të sistemit demokratik në vend. Për më shumë, e ka edhe obligim dhe detyrë të mos deformojë kontrollin dhe balansin e pushteteve.

Kushtetueshmëria nuk funksionon e nënshtruar dhe nën presion.

Edhe po t’i ofronte Vetëvendosja LDK-së 7 ministri dhe Kryeparlamentarin, pa 4 pozitat e lartëshënuara, LDK nuk do duhej të pranonte këtë ofertë nënshtrimi.

Këtë tjetërsim sistemor, Vetëvendosje NUK guxon t’a ‘kontrabandojë’ me vetëm 25.4%, e as LDK ta lejojë me vetëm 0.6% më pak, dmth me 24.8% të votave të përgjithshme.

‘Përmbysjen e sistemit demokratik’ Vetëvendosje mund ta realizojë ndoshta atëherë kur populli ia jep mbi 50% të votave të përgjithshme, përmes fushatës zgjedhore që e avokon qartë dhe haptas këtë ndryshim. Assesi përmes mashtrimit e kontrabandimit të vullnetit sovran.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu