Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj tha se mungesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë në Uashington duhet t’i shqetësojë të gjithë, transmeton InfoShqip.
Haradinaj tha se kjo duhet të shërbejë si sinjal alarmi, sepse kjo është shenjë e degradimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe ky është rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit.
“Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në marrëdhëniet me SHBA-në janë të papranueshme dhe nuk duhen toleruar. Ky degradim i marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë dhe Kosova duhet të rifitojë besimin tashmë të zbehur” tha Haradinaj.
“Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të ngushtë se SHBA-ja, ndaj kryeministrit urgjentisht i duhet të përmirësojë marrëdhëniet dhe një partneritet të besueshëm dhe të shëndetshëm me SHBA-në si aleatin tonë strategjik. Ne kurrë nuk do ta lejojmë Kosovën të bëhet një laborator i eksperimenteve neokomuniste evropiane, qëllimi kryesor i të cilit është zvogëlimi i pranisë dhe rolit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Haradinaj./InfoShqip.com









