Haradinaj paralajmëron marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në vjeshtë në Shtëpinë e Bardhë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e cilësoi takimin e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, si një takim të rëndësishëm, por të vonuar.

“Ky takim që ndodhi tash është dashur të ndodhë para një viti, një vit kohë ka ikur, me 24 shkurt ka filluar lufta në Ukrainë dhe ja për shembull ne po hyjmë në vjeshtë tash, pra nuk besoj se është mirë që Kurti dhe Osmani të mos e marrin seriozisht, mos me e kërku seriozisht që Amerika ta përmbyllë këtë marrëveshje të hapur Kosovë-Serbi, asnjë rrethanë nuk mund të jetë më e favorshme dikur”, tha Haradinaj në Klan Kosova.

Sipas Haradinajt, procesi i dialogut duhet të ketë një epilog në vjeshtën e këtij viti.

“Është koha e duhur pasi Ukraina i ka ndryshuar shumë parametra, ka sqaruar shumë situata. Në Amerikë tani i kemi zgjedhjet për Dhomat e Përfaqësuesve, menjëherë pas tyre fillojnë aspektet e zgjedhjeve presidenciale atje dhe nuk është që çdo herë mund të kenë kohë për ne”, u shpreh i pari i AAK-së.

Ish-kryeministri tutje tha se takimi i liderëve të vendit me sekretarin amerikan Blinken do të pasohet me një ftesë për Shtëpinë e Bardhë që të arrihet marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Krizat mund të zgjerohen dhe mund të krijohen edhe probleme shtesë, jo vetëm me Ukrainën, pra duhet të gjejmë një rrethanë kohore që sekretari Blinken e presidenti Biden t’i fton palët, unë besoj që ky është takimi i fundit para ftesës në Shtëpinë e Bardhë. Nuk është se kam ndonjë informatë, por mund të vijë sekretari Blinken në rajon para marrëveshjes që t’i qartësoj rrethanat e rajonit, por megjithatë unë e pres këtë si angazhimin e fundit nga kjo administratë me Kosovën për çështjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi”, përfundoi Haradinaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu