Haxhiu: Gjyqtarët e Kushtetueses kanë bërë një gabim historik që do t’i kushtojë shumë Kosovës

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën i jep të drejtë Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë, ka reaguar Albulena Haxhiu.

Përmes një shkrimi në Facebook, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur vendimin e GjK-së, si skandaloze.

“Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit! Vendim skandaloz”, ka shkruar Haxhiu.

Ndërkohë Haxhiu në RTV Dukagjini ka thënë se gjyqtarët e Kushtetueses kanë bërë një gabim historik që do t’i kushtojë shumë Kosovës.

“Vendime të tilla janë të papranueshme për Vetëvendosjen dhe sigurisht se do të ketë rezistencë qytetare kundër këtyre vendimeve që duan të ruajnë pazaret e Hashim Thaçit”.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë thotë se me këtë veprim Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një goditje të fortë Kosovës.

“Nuk kanë më kuptim as zgjedhjet as demokracia derisa një grup i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese e përmbysin rendin kushtetues”.

Ndërkaq, sipas vendimit të gjykatës, dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu