Historia e emigrantit të parë shqiptar që shkeli në Amerikë

Historinë e tij e kam dëgjuar për herë të parë në vitin 1975, nëpërmjet njërës nga këngët e kurbetit që mblodhëm në zonë dhe që i kushtohej pikërisht At Kolë Kristoforit.

Më vonë kjo këngë do të pasqyrohej dhe në botimin me titull “Këngë popullore të Rrethit të Korçës”, Tiranë 1982.

Në gusht të vitit 1974, kishte ardhur për vizitë në fshatin Katund, biri i tij, një ndër emigrantët e parë shqiptarë, Kostandin Demo, i cili u prit nga bashkëfshatarët me një dashuri dhe mall të jashtëzakonshëm. Mes të tjerash, ai i vuri në dijeni edhe për një libër që kishte botuar në vitin 1960, kushtuar emigrantëve katundllinj dhe në mënyrë të veçantë At Kole Kristoforit. Ky lajm u përhap në rrethe të ngushta studiuesish, por unë nuk pata fatin ta lexoja qysh atëhere. Katundllinjtë ndjeheshin krenarë që më në fund e kishin të shkruar një pjesë të historikut të tyre, por kjo mbeti me kaq.

At Nikolla (Kolë) Kristofori

S’di pse atëherë nuk iu kushtua rëndësia e duhur Kole Kristoforit, kësaj ikone të shqiptarizmës, ndërkohë që në Amerikë vlerësohej si themelues i lëvizjes kombëtare shqiptare të Diasporës. Dhe kjo heshtje ndodhte pikërisht atje, në Vakëfet e Korçës, kur, ngaqë çdo familje kishte pasur dikur gjysh-stërgjyshërit emigrantë në Amerikë, e shikonte këtë të fundit (Amerikën) si simbol të mirëqenies, bollëkut e lirisë. Në Vakëfe është kënduar vazhdimisht kënga “Zjarri moj Ameriqí” që thotë: Ç’u hap një kurbet-o/Një kurbet i ri,/Zjarri moj Ameriqí!/Sebep seç na u bë,/Kole Sotiri…

Megjithëse kurbeti anatemohej, përsëri ai kishte edhe anën tjetër të medaljes, sillte kthesë rrënjësore pozitive në jetën e familjeve shqiptare. Por që të mos largohemi nga tema, le të kthehemi te “pionieri i parë” i emigracionit shqiptar në Amerikë, Nikollë (Kole) Kristofor 1859-1940), për të cilin është shkruar shumë, por unë kam shfrytëzuar për këtë shkrim të dhënat që kanë sjellë Ilia Demo dhe Kiço Panariti.

I pari shqiptar që shkoi në Amerikë ishte Nikolla Kristofor prej Katundi.

Mendohet që ai të ketë vajtur në Amerikë rreth viteve 1884.

Mbërriti në Amerikë me një vapor grek dhe u vendos në Boston Mass. Ai nuk dinte gjuhën dhe u rropat rrugëve të Bostonit, duke fjetur jashtë në stacionet e trenave së bashku me disa grekë.

Pas gjashtë vjet në Amerikë, Nikolla Kristofor u kthye në Katund, në fshatin e lindjes, i veshur krejt ndryshe; me pantallona me manshetë dhe këpucë me majë të gjatë, me pallto e jelek, me zinxhir e sahat floriri, me kollare, sigurisht edhe me borsalino. Koleja bëri përshtypje të madhe, jo vetëm në fshatin Katund, por në të gjitha fshatrat e Vakëfeve. Rreth i tij u mblodhën e biseduan të gjithë fshatarët, grupe grupe. Bisedat s’kishin të sosur. Atëherë fshatarët visheshin me kallce shajak, xibuna e opinga, kështuqë ndryshimi ishte shumë i madh. Koleja kur u kthye në fshat i kishte xhepat plot me para. Fshatarët besonin dhe s’besonin. Ai u thoshte fshatarëve se në atë vend që quhet Amerikë, një punëtor fitonte në ditë, duke shitur fruta e lule, po aq sa mezi i fitonte dhe një punëtor në Shqipëri për një vit. Këto fjalë i frymëzuan fshatarët dhe u lindi dëshira e madhe të shikonin Amerikën, dhe sipas traditës, një popull i frymëzuar shpejt ia arrin qëllimit. Kur u kthye Koleja në Amerikë, mori me vete disa shokë, rreth vitit 1892, më pas iu grumbulluan dhe fshatarë të tjerë (prej Katundi) dhe ata u bënë 17 veta gjithsej.

Këta janë pionierët e parë të emigracionit shqiptar në Amerikë, që shkuan duke u bashkuar me Nikolla Kristoforin, që nga Rumania, Bullgaria e Greqia, por edhe të fshatit Katund.

Sipas librit të Kostandin Demos, këta 17 veta ishin Nikolla Kristofor, Hari Rapo Laska, Dhoskë Adham, Thoma Adham, Josif Adham, Sotir Lezi, Geli Stevenson, At. Dhosi Katundi, Dhimë Pano (Peterson), Fani Kosta, Thoma Kosta, Hari Kaçka, Argjir Pelo, Fani Cico Angjel, Dhimë Andrea Pano, Rapi Fanes dhe Toli Dhami.

Ardhja e tij në Shtetet e Bashkuara, më 1886, në të njëjtin vit që Statuja jonë e Lirisë iu kushtua portit të Nju Jorkut, frymëzoi ëndrrat dhe aspiratat e shumë bashkatdhetarëve të tij, të cilët erdhën më vonë duke kërkuar mundësi ekonomike, liri fetare, dhe të shprehnin lirshëm trashëgiminë e tyre kombëtare në një botë të re. Kështu, Koli Kristofor ishte Kristofor Kolombi i ne shqiptarëve!

Nga 1900, pelegrini ynë ka vizituar Filadelfian, ka punuar në hekurudhën e Bashkimit Paqësor në Utah dhe në fund u vendos në Boston, ku ai ka jetuar në kohë të ndryshme në Harrison Avenue, Union Park Street, East Canton Street në pjesën jugore të Dale Street në Roxbury, ku dhe ndërroi jetë.

Faik Konica, të cilit i shkroi më 1900, e quan Kolin “një patriot i fortë, këshilltari i mençur dhe idealist, i cili flet një gjuhë shqipe e cila është e pastër, madje klasike”. Profesor Gregori Pano, në hulumtimet e tij, ka zbuluar në regjistrimin e SHBA- së, të 1900-ës, që Koli ishte kryetari i një familjeje në Boston, ku qëndronin të paktën gjashtë emigrantë të tjerë shqiptarë në një “konak” të përbashkët, term që prindërit dhe gjyshërit tanë e përdornin për të simbolizuar shtëpinë.

Më 1908, kur prifti Fan S. Noli shërbeu liturgjinë e tij të parë në gjuhën shqipe, në Knights of Honor Hall në Boston, Koli Kristofor ishte i pranishëm. Ditën që katedralja e Shën Gjergjit u organizua si një kishë famulltare, Koli Kristofor u zgjodh arkëtar. Ishte një periudhë vërtet e ngjeshur: gazeta e parë, kisha e parë, organizata e parë vëllazërore e emigrantëve shqiptarë, ishin duke u themeluar dhe Koli ishte në mesin e bashkëkombasve të tij, “të varfër si minj kishe, por të patrembur si luanët”.

Instinktet udhëheqëse e çuan në shërbim të popullit të tij si prift kur, më 28 dhjetor 1918, ai u përcaktua nga imzot Aleksandri i Dioqezës Ortodokse Ruse në SHBA. Më 1921, u emërua pastor i Kishës Ortodokse Shqiptare Triniteti i Shenjtë në jug të Bostonit, ku ai shërbeu me devocion deri më 1932, së bashku me gruan e tij të dashur, Priftëresha Eleni (Stephenson), dy bijat e tyre dhe djalin. Ai shërbeu edhe si pastor në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Nikollës në Southbridge, Massachusetts, dhe pas një pajtimi me imzot Fan Noli, pas një dekade mosmarrëveshje, ai u ngrit në rangun e Arqipeshkvit, më 1938.

Nikolla Kristofor, duke parë Amerikën si një shtet të lirë ku punoje dhe fitoje, i lindën ndjenjat për të patur një Shqipëri të tillë, si dhe fshatin e tij me shkollë shqipe.

Nikolla Kristoforit i lindi ideja që së bashku me fshatarët e tij të grumbulloheshin dhe të formohej shoqëria e fshatit Katund, të cilën e quajtën “Fatbardhësia”, për të shkolluar shqip fëmijët e fshatit dhe për të ndihmuar fshatin.

Ai grumbulloi mjaft eksperiencë për punë të paqta e të mira. Tentoi në fillim të krijonte për shqiptarët një sipërmarrje për tregtimin e bananeve dhe për ta monopolizuar këtë tregti, por disa nuk e kuptuan dhe nuk e vazhdoi më këtë punë.

At Nikolla, apo At Kolja, siç e thërrisnin me përzemërsi, u nda nga jeta më 26 korrik 1940, në moshën 81 vjeçare.

***

Faik Konica: “Flasim për një dekan të shqiptarëve të Amerikës”

Një njeri i mirë, një shqiptar i mirë, tani shpejt mbylli sytë në dritë të kësaj jete.

At Kol Kristofori qe dekani i Shqiptarëve të Amerikës, jo vetëm nga mosha, por edhe nga koha e ardhjes së tij këtu. Shqiptari i frymëzuar me dëshirën të shohë vende të ra, ka qenë kurdoherë kurbetlli dhe ka vajtur gjer në zallet e Kinës. Vetëm në Amerikë nuk e kish fryrë era. Këtë udhë e hapi Kol Kristofori. I ardhur këtu pesëdhjetë vjet më parë, tërhoqi të tjerë pas tij. Për pasardhësit ish një këshilltar i urtë, i kuptuar, i dashur. I dhënë pas punës nga nevoja; zemrën e kish në gjërat e atdheut. Ish në një shkallë më të vogël një njeri i tipit të Efthim (Thimi) Mitkos, të Anastas Kulluriotit, të Nikolla Naços.

Letrën e parë të tij e mora në Bruksel, më 1900. Ishte një letër e shkurtër, se i ndjeri ka qenë kurdoherë i kursyer nga fjalët, po ish letër e një burri me ndjenja, ndjenja të forta pa bujë, zemërdhënëse, pa mburrje.

Siç e kisha kujtuar për së largu, ashtu e gjeta At Kristoforin, kur nëntë vjet më vonë arrita në Amerikë; shqiptar me ndjenja të thella dhe të qeta, me qetësinë e ujërave të thella, njeri me karakter fisnik, këshillonjës në kohë dyshimi, ndihmës në orë të keqe. Por një gjë që më tërhoqi më tepër ish gjuha e tij: fliste një shqipe të pastër që mund të quhej klasike. Përveç kësaj, kishte dhe një dije të rrallë të zakoneve të vjetra të kombit tonë. A e mbani mend shkrimin tonë? A e mbani mend shkrimin e tij që botova njëzetë e ca vjet më parë, mbi lodrat kombëtare të Shqipërisë?…Në jetën publike një ngjarje e hidhur qe ndarja e tij nga Peshkop Noli, një ngjarje në të cilën besoj tani s’kishte faj asnjë palë. Ish një nga ato mosmarrëveshjet që kanë rrënjë të thella në trashëgime të vjetra, kur këto përpiqen me një mendje të fortë dhe të çliruar.

At Kol Kristofori do të lejë kujtime të dashura dhe të mallëngjyera në zemër të atyre që e kanë njohur mirë, pa marrë në sy gjëra që do të ish më mirë të mos kishin ngjarë.

***

Në Katund të Vakëfeve/ Obelisk në kujtim “të pionierëve” të emigracionit shqiptar në Amerikë

Më 2 korrik të këtij viti, u realizua ëndrra dhe dëshira e madhe e kahershme e Fan S. Nolit, Faik Konicës, Shoqatës “Fatbardhësia të Katundllinjëve të Amerikës, Kryedioqezës Ortodokse Shqiptare të Bostonit USA dhe Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahinës së Vakëfeve: në fshatin Katund të Korçës u përkujtua me madhështi 133-vjetori i emigrimit të të parit emigrant shqiptar në Amerikë, At Kole Kristofori (më 1884), si dhe 125-vjetori i emigrimit (po në Amerikë) të 17 burrave të tjerë katundllinj (më 1892).

Për të nderuar veprën e tyre si dhe shumë figurave të shquara nga Katundi e Stratobërdha, u përurua me këtë rast një obelisk madhështor në mes të fshatit, falë kontributit dhe mbështetjes së fuqishme të të gjithë katundllinjëve e stratobërdallinjëve me banim në fshat, në qytet, emigracion e diasporë, pa patur përkrahjen më të vogël nga shteti.

Programi i kësaj dite festive ishte shumë i ngjeshur dhe i larmishëm, duke filluar që nga përshpirtja në Kishën e fshatit (e vetmja kjo e mbijetuar në tërë krahinën), për të vazhduar më pas me fjalimet dhe përshëndetjet nga oratorë të ndryshëm, para obeliskut, argëtimi i pjesëmarrësve me këngë patriotike e popullore të krahinës, si dhe dreka tradicionale e organizuar në formën e një pikniku, që i kënaqi të gjithë me gatimet karakteristike vendase./Petrit Zeneli, Dita


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu