Ka kohë që i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë hedhur hapin për krijimin e një ‘miqësie me benefite’, shkruan GazetaBlic.
Ndonëse shumë vite më parë këta të dy nuk lanë gjë pa thënë për njëri-tjetrin, kjo nuk i ndaloj që kur u vunë në pozitën e njëjtë të takohen dy herë radhazi e të paraqiten sikur mes tyre nuk ka ndodhur asgjë.
Ka qenë vet lideri i LVV-së, Albin Kurti që në Radio Televizionin Publik të Kosovës kishte deklaruar që nuk ka asnjë pikë respekti për Mustafën i cili atë kohë ishte duke qeverisur vendin bashkë me PDK-në.
“Unë nuk mund të ofendohem prej dikujt ndaj të cilit s’kam respekt. Unë nuk kam respekt për të,” – kanë qenë fjalët e Kurtit disa vite më parë.
As Mustafa nuk është se i ka lënë anash akuzat e tij ndaj Kurtit e madje e ka akuzuar partinë e tij për disa sulme që kishin si pikësynim vet atë.
“Unë jam Kryeministër i vendit, nuk jam shenjë që kujt ti teket të gjuajë në mu dhe mendoj që këtë s’duhet ta lejojnë organet e drejtësisë, që të më sulmohet shtëpia. S’kam dashur që të deklarohem publikisht, por në qoftë se një shtëpi e Kryeministrit sulmohet me koktej molotovi, atëherë këtu diçka nuk është në rregull,” kishte thënë Mustafa.
Pavarësisht kësaj, kur u rrëzua qeveria Mustafa dhe në krye të qeverisë erdhi Ramush Haradinaj, ai ndërroi qasjen nga fakti se kishte mbetur në opozitë bashkë me LVV-në e cila po ashtu i kishte shkelur ‘parimet e saja dhe vijat e kuqe’ që ia kishte vënë LDK-së më parë.
Të dy liderët e partive më të mëdha opozitare në vend kishin marrë iniciativën për ta çuar në shtëpi qeverinë Haradinaj.
Një herë kah fundi i shtatorit të 2018-ës e më pas edhe kah fundi i majit të 2019-ës ishin takuar sy më sy e si temë kyçe kishin krijimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj, por që nuk pati efekt.
Tash kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe vendi pritet që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, partitë opozitare LDK e LVV po përpiqen që të bien në ujdi që në zgjedhje të shkojnë së bashku në një koalicion parazgjedhorë.
Video:










