Hoxhaj: Për Kosovën, Shqipëria është partneri më i natyrshëm dhe më strategjik në Ballkan

Ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka komentuar zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat ai i vlerëson si strategjike dhe të natyrshme.

Hoxhaj këtë reagim po e bën pasi Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar mbledhjen e përbashkët të qeverive të tyre ku janë nënshkruar një numër i madh i marrëveshjeve mes dy shteteve.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

Mirëmëngjesi Kosovë! Për Kosovën, për arsye historike, kulturore dhe politike Shqipëria është partneri më i natyrshëm dhe më strategjik në Ballkan dhe i jam gëzuar gjithmonë mbajtjes së këtyre mbledhjeve midis të dyja vendeve, pavarësisht se sot jam në opozitë, e edhe kur dje isha në qeveri!

Sa herë që mbahen mbledhjet e përbashkëta, ka vlerësime të ndryshme rreth qëllimeve dhe rezultateve të tyre. Çdokush ka të drejtë në mendimin e vet, porse një gjë qëndron: ato bazohen në qasje të qartë strategjike. Ka marrëveshje të shumta, ka zotime të ndryshme dhe ka pengesa në zbatimin e tyre, por të gjitha këto përbëjnë politikën e hapave të vegjël se si Shqipëria e Kosova të afrohen sa më shumë me njëra-tjetrën. Nëse BE-ja, për arsye të shumta, nuk po zgjerohet me shpejtësinë e duhur drejt Ballkanit, është strategjike që ne të zgjerohemi drejt njëri-tjetrit.

Jam i lumtur dhe krenar që dikur kisha një rol në krijimin e një platforme të partneritetit strategjik në vitet 2013 dhe 2014 përmes mbledhjeve të përbashkëta me Shqipërinë. Atëherë e kemi quajtur strategjik! Për mua ka qenë politikë e hapave të vegjël dhe e hapave të ndërmjetëm drejt një hapësire sa më të përbashkët: politike, ekonomik, shoqërore dhe kulturore”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu