HULUMTIM: Qytetarët e Maqedonisë ndër më të palumturit në botë

Qytetarët e Maqedonisë janë ndër më pak të lumturit në Evropë dhe në botë, raporton SHENJA. Nga 157 shtete të përfshira në një hulumtim për nivelin e lumturisë së qytetarëve, të realizuar nga Qendra e hulumtimeve Gallub, Maqedonia zë vendin 95 me notë 5.121, në nivelin nga 1 deri në 10.

Hulumtimi është kryer mbi gjashtë faktorë: bruto prodhimi vendor për kokë banori, jetëgjatësia, mbështetja sociale, besimi (e matur sipas perceptimit të korrupsionit në qeveri dhe biznes), perceptimi i lirisë për të marrë vendime në jetë, dhe humanizmi. Mbledhur vlerësimet e përgjithshme nga të gjashtë faktorët, qytetarët e Maqedonisë janë radhitur në një grup me vende me shkallë të lartë të korrupsionit dhe varfërisë.

Qytetarët e Libisë, Paraguait, Xhamajkës, Somalisë, Filipineve, Bhutan, Kirgistanit, Pakistanit, Republikës Dominikane dhe të ngjashme, kanë rezultuar më të lumtur se qytetarët e Maqedonisë. Qytetarët e Maqedonisë sipas këtij hulumtimi për nivelin e lumturisë, janë shumë edhe afër shteteve si Taxhikistani, Mongolia, laos, Honduras, Zambia, Bangladesh dhe të tjera.

Në krye të listës prej 157 shteteve, qëndrojnë qytetarët e Danimarkës me nivel 7.526, të pasuar nga zviceranët, islandezët, norvegjezët, finlandezët, kandazët, qytetarët e Holandës, Zelandës së re, Australisë dhe Suedisë në dhjetë vendet e para. Qytetarët më të palumtur në botë janë ata të shtetit Burundi, ndërsa të parafundit në këtë listë janë sirianët me nivel 3.069. Mbi Sirinë në këtë listë janë kryesisht shtete të Azisë dhe Afrikës.

Qytetarët e Maqedonisë kanë rezultuar ndër qytetarët më pak të lumtur edhe në rajon, duke lënë shumë larg qytetarët e Kroacisë që ndodhen në vendin e 74, ata të Kosovës në vendin e 77, Turqisë në vendin e 78, Serbisë të cilët ndodhen në vendin e 86, Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 87, të cilët pasohen nga Mali i Zi me një pozitë më poshtë. Ndërkaq më të palumtur se qytetarët e Maqedonisë nga vendet fqinjë dhe rajoni, në këtë listë rezultojnë vetëm ata të Shqipërisë në vendin e 109 dhe qytetarët e Bullgarisë në vendin e 129./infoshqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu