Hungaria: BE të caktojë datën për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të caktojë para përfundimit të vitit një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të fillojnë jo më vonë se tremujori i parë i vitit 2018, ndërsa BE duhet gjithashtu të identifikojë qëllimet e arritshme të integrimit dhe një afat kohor në lidhje me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën”, tha Szijjarto, sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga qeveria hungareze.

Gjatë një takimi të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegradit, Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore në Budapest, Szijjarto tha se qeveria hungareze gjithashtu kërkon që BE të hapë gjashtë kapituj të rinj në bisedimet e pranimit me Serbinë dhe tre me Malin e Zi deri në fund të vitit 2017. Serbia deri tani ka filluar bisedimet mbi 10 nga 35 kapitujt e ligjit të BE dhe ka mbyllur negociatat për dy. Mali i Zi ka filluar bisedimet mbi 28 kapituj.

“Zbatimi i një strategjie që nxit dhe përshpejton proceset e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor është në interesin më të mirë të Europës Qendrore”, tha Szijjarto.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu