Ilir Meta nuk është ndjerë asnjëherë komod në postin e Presidentit të Republikës, në të cilin u emërua me detyrim-përcaktim nga maxhoranca dy vite më parë.
Tashmë, kur tensioni politik ka arritur kulmin dhe nuk funksionon as Gjykata Kushtetuese dhe as Gjykata e Lartë, largimi i Presidentit të Republikës do të hapte një tjetër problem në Tiranë, sidomos për maxhorancën.
Meta ka kërcënuar pikërisht me këtë fakt: Merruni vesh ose unë largohem.
Mesazhi i drejtohet të dyja kampeve politike, megjithatë këmbanat bien për Ramën, i cili edhe vendin vakant të Presidentit të Republikës do të kishte mangët tani që nuk po funksionon asgjë.
Këtë deklaratë Meta e bëri sot në një mënyrë më të zbutur duke thënë se është i gatshëm të verë mandatin e tij në dispozicion të një zgjidhjeje mes palëve.
“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetareve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”, tha Meta.
Reagimi i plotë
Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.
U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman.
Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme.
Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetareve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.










