Presidenti i vendit, Ilir Meta, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, dha një mesazh për politikën shqiptare. Kreu i shtetit deklaroi, se liderët maqedonas, reflektuan pas vendimit të BE-së, për të mos çelur negociatat, duke iu referuar veprimit të kryeministrit Zoran Zaev i cili e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Sipas Metës, është koha e politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë veprim.
“Kemi reflektim në Maqedoni, përmes zgjedhjes, që tregon dhe pjekurinë e tyre. Edhe te ne duhet të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjithë detyrimet që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim. Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet kritike, Francë, Holandë, Danimarkë, Spanjë, etj. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë.
Nuk mjafton të themi Franca ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, nëse ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, sa i takon krimit, azilkërkuesve. Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë të besueshme, në mënyrë që këto shqetësime të shuhen në javët e muajt në vijim. Dhe të bëjmë të qartë që ndërsa jemi të gatshëm të përmbushim çdo detyrim, çdo ide tjetër dhe informale qoftë, çdo alternativë tjetër, është e papranueshme dhe është e padobishme”, tha Meta./L.F-dritare.net










