Unioni i Shoqatave të Infermiereve kërkojnë që puna gjatë natës e motrave medicioniale të paguhet në bazë të orës së kujdestarisë, dhe jo si ndërrim nate, ashtu siç parasheh neni 216 i ligjit për mbrojtje shëndetësore.
Kryetarja e këtij unioni, Gordana Beshliovska tha se ankesat i kanë drejtuar deri tek dega për shëndetësi pranë Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë, të cilët tashmë kanë filluar negociatat për nënshkrimin e një aneksi për marrëveshje kolektive në pjesën e punës gjatë natës dhe kujdestarisë.
“Me ndryshimet e reja, ato 200-220 denarë, që i marrim për punën gjatë natës, për një natë, do të arrijnë në 290 apo gati 300 denarë, në nivel të muajit, për këtë arsye thash se më vjen turp ta potencoj këtë. Nëse do të vlerësoheshin orët e punëve sipas kujdestarisë, atëherë do të kishit sistem tjetër të përllogaritjes së orëve të punës. Në këtë rast, një motër me shkollë të mesme në një ditë të rëndomtë do të merrte 900 denarë për kujdestari, apo 1200 denarë për kujdestari gjatë vikendit”, tha Gordana Beshliovska, Unioni i shoqatave të infermiereve.
Kryetari njërës nga shoqatat, pjesë e këtij unioni, Xhevat Salihu, thotë se pikërisht kushtet e këqija të punës po luajnë rol kyç në largimin e numrit të madh të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë.
“Për shkak të kushteve, përkatësisht për shkak të pagesës së vogël të personelit të mesëm dhe të lartë mjekësor, kemi edhe largim të motrave medicinale jashtë shtetit tonë. Të rinjtë të cilët tashmë janë në drejtimin e shkollimit të mesëm dhe të lartë medicinal, marrin rrugën e mërgimit kur e shohin shembullin tonë se ne jemi pak të paguar dhe pak të çmuar. Sa është numri i saktë nuk mund të them, por është mjaft numër i madh”, tha Xheat Salihu, shoqata e motrave medicinale të Gostivarit.
Nga ana tjetër Kompania Opportunity Center ka organizuar konferencë punësimi për në Gjermani pikërisht për sektorin e shëndetësisë. Konferenca është paralajmëruar për më 20 prill nga ora 12 e 30 në Hotel Bushi, ndërsa siç thonë nga kjo kompani, interesi për punësim jashtë vendit është shumë i madh. Nga Opportunity Center thonë se me këtë, qytetarëve u jepet një mundësi shtesë për një të ardhme më të mirë.
“Ideja ka ardhur nga nevoja për punësimin e të rinjve, ne u ofrojmë atyre një mundësi shtesë, një “të keqe të domosdoshme”. U ofrojmë rrugë dhe mundësi më të mirë për të ardhmen e tyre dhe parasëgjithash për mirëqenien e tyre socio-ekonomike“, thanë nga Opportunity Centar – Maqedoni.
Unioni i shoqatave të infermiereve numëron rreth 550 anëtarë, ndërsa sipas tyre, përveç problemeve me pagesën për turnet e natës, infermieret ballafaqohen edhe me një sërë problemesh tjera, duke përfshirë pagesat e ulëta, oraret e gjata, punësimi në bazë të marrëveshjeve në vepër, në vend të marrëveshjeve për punësim si dhe mungesat e mëdha të personelit shëndetësor.
Përgatiti: Bajram Memeti










