Partia Socialiste ka nisur një proces me të cilin pretendon ta shkarkojë presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një veprim të paprecedent në Shqipëri që nga rrëzimi i komunizmit dhe tranzicioni demokratik i vendit.
Deputetët e Partisë Socialiste, të premten votuan dhe miratuan themelimin e një komisioni hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Komisioni hetimor, i cili u votua nga 97 deputetë në kuvendin me përbërje të vjetër dhe të bojkotuar nga partia opozitare Partia Demokratike, filloi punën të shtunën dhe miratoi një plan që ka për qëllim shkarkimin e Metës nga posti i presidentit.
Deputetët socialistë pretendojnë se presidenti Meta ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me ar më.”
Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.









