Irani pas 3 muajsh liron anijen e Koresë së Jugut dhe kapitenin e saj

Irani ka liruar një cisternë nafte të Koresë së Jugut dhe kapitenin e saj, tre muaj pas “përfundimit të një hetimi mbi rastin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, u tha gazetarëve në kryeqytetin Teheran se anija është liruar pas përfundimit të një hetimi mbi rastin dhe me kërkesë të qeverisë së Koresë së Jugut.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet iraniane njoftuan se anija e sekuestruar ‘Handuk Chemi’ dhe kapiteni i saj do të lirohen, tre muaj pasi u mor në paraburgim nga Trupat Revolucionare të Iranit (IRGC) me pretendimin për shkelje të ligjeve mjedisore detare.

Zyrtari iranian tha se cisterna që mbante 7.200 tonë etanol po lundronte nga porti Al-Jubail i Arabisë Saudite drejt Koresë së Jugut përmes Emirateve të Bashkuara Arabe kur u ndalua nga forcat detare të IRGC-së më 4 janar me kërkesë të Autoritetit të Porteve dhe Transportit të Iranit.

Incidenti përshkallëzoi tensionet midis Iranit dhe Koresë së Jugut, ndërsa bisedimet midis dy palëve për shumë javë nuk treguan përparim, përfshirë edhe gjatë vizitës në muajin janar në Teheran të zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, Choi Jong-Kun.

Irani u bëri presion autoriteteve të Koresë së Jugut që të lirojnë mbi 7 miliardë dollarë pasuri të ngrira iraniane në vend, një pikë kyçe që ka çuar në fraktura të thella në marrëdhëniet e tyre dypalëshe në vitet e fundit.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se kapja e anijes është “pengmarrje”, ndërsa zyrtarët iranianë thanë se rasti “nuk duhet të politizohet”.

Pas disa javësh negociata, në muajin shkurt anëtarët e tjerë të ekuipazhit u liruan nga Teherani, por anija dhe kapiteni i saj nuk u liruan në atë kohë.

Sot, agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Jugut tha se të gjithë anëtarët e ekuipazhit, përfshirë kapiteni, janë të sigurt dhe mirë dhe se ata herët në mëngjes u larguan nga porti pranë qytetit Bandar Abbas në bregdetin jugor të Iranit.

Agjencia Yonhap po ashtu citoi një zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, i cili theksoi se për fondet e ngrira vendi është konsultuar nga afër me SHBA-në dhe partnerët evropianë, vendet që po negociojnë me Teheranin për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila synon kufizimin e veprimtarive bërthamore të Iranit.

“Nëse bisedimet e JCPOA-së (Plani i Përbashkët i Veprimit) ecin përpara, ne mendojmë se mund të ketë një efekt pozitiv në çështjen e fondeve të ngrira”, tha zyrtari.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu