Ish-presidenti Meidani: Një ditë vetë BE-ja do të kërkojë një shtet shqiptar

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, në një intervistë për KTV-në ka thënë se një ditë vetë Bashkimi Evropian do të kërkojë një shtet të vetëm shqiptar.Në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Meidani ka kujtuar angazhimin e familjeve shqiptare në Shqipëri për të hapur dyert për refugjatët nga Kosova.Në ditën e promovimit të librit të tij “Rendi global dhe shteti komb” në Prishtinë, Meidani, që ishte president në periudhën 1997-2002, ka folur për mobilizimin e Shqipërisë për situatën e viteve të luftës në Kosovë.

“Është një periudhë sa e vështirë po aq edhe me përmasë historike. Një angazhim total i shtetit shqiptar për të mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës, për të mbrojtur çështjen e shqiptarëve, dhe arritëm me sukses këtë rezultat që kemi sot, lirinë dhe pavarësinë. E kisha parashikuar të botoja librin në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por nuk arrita për disa muaj. Po bëhet promovimi më 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës me futjen e trupave të NATO-s që është ngjarje po aq e rëndësishme me përmasa historike”, ka thënë ai.Meidani ka kujtuar se si Shqipëria kishte arritur të depërtonte në mjedisin ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë.“Sa i përket, eksodit në pjesën e parë ndihmë kryesore dha vetë populli shqiptar, familja shqiptare, e cila hapi dyert. Ajo si të thuash e mbrojti qeverinë, shtetin shqiptar, që ishte i papërgatitur. Në fazën e parë ky ishte kontributi i familjeve shqiptare për të shmangur katastrofë humanitare. Me kalimin e ditëve filloi organizimi i qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për kapërcimin e situatës kritike. Gjëja që është e veçantë është se pikërisht në këtë periudhë NATO-ja aplikoi edhe një pamje të re, pamje humanitare. Në shumë kampe, NATO-ja dha kontributin për të ndihmuar familjet shqiptare, për të ndihmuar”, ka thënë ai.

Për pasluftën në Kosovë, Meidani ka thënë se momenti i shpalljes së pavarësisë mbylli njëherë e përgjithmonë kapitullin me pretendime të serbëve.“Sot shikojmë një Kosovë demokratike, që respekton të drejtat e njeriut, ku edhe komunitetet tjera kanë përfaqësimin, pavarësisht se Beogradi vazhdon të synojë të dëmtojë këtë ritëm zhvillimi, perspektivën pozitive të shtetit të ri të Kosovës. Kam bindjen se kjo situatë është e pakthyeshme dhe vetëm po dëmtojnë veten”, ka shtuar Meidani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu