Italia nuk i njeh më patentë-shoferët e Maqedonisë së Veriut

Turistët nga Maqedonia e Veriut nuk mund të marrin më me qira automjete në Itali me patentë-shofer të Maqedonisë së Veriut, edhe pse të dyja shtetet kanë marrëveshje për njohjen dhe zëvendësimin reciprok të patentë-shoferëve.

Në të njëjtën kohë, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me qëndrim të përhershëm në Itali nuk mund ta zëvendësojnë më patentën e Maqedonisë me një italiane dhe duhet ta japin provimin nga e para, raporton SDK.

“Na skanojnë dhe na fotografojnë pa fund në kufij, tani na rezulton se nuk vlejnë më as patentë-shoferët, edhe pse përmbajnë të njëjtat të dhëna biometrike”, thotë një turist i Maqedonisë në Itali.

Italia kërkon nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për njohjen dhe zëvendësimin e patentë-shoferëve të Maqedonisë, gjë që ka imponuar përsëritjen e të gjithë procedurës administrative.

Procesi i ri përfshin harmonizimin e sërishëm të dokumenteve dhe rregulloreve ndërmjet institucioneve. Pasi procedura të përfundojë, të gjitha autoshkollat dhe kompanitë e makinave me qira do të njoftohen zyrtarisht.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme kanë bërë të ditur se janë duke u zhvilluar harmonizimet përfundimtare të Marrëveshjes për njohjen e patentë-shoferëve ndërmjet dy shteteve, të cilat duhet të përfundojnë nga pala italiane.

“Nga pala maqedonase janë përmbushur të gjitha formalitetet e nevojshme, ndërsa aktualisht pritet miratimi përfundimtar nga institucionet kompetente në Itali, pas së cilit do të vijojë procedura për nënshkrimin e marrëveshjes. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në koordinim me institucionet kompetente, po punon aktivisht për përfundimin e këtij procesi”, thanë nga MPJ.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu