Teoritë rreth sasisë së nevojshme të gjumit që duhet të bëjë secili janë nga më të ndryshmet. Të shumta janë gjithashtu studimet që vërtetojnë rëndësinë e tij në jetën tonë dhe efektet negative që ka në organizëm privimi prej tij.
Sipas studiuesve, të flesh 8 orë gjumë është një bekim për mirëqenien tonë. Një gjumë i mirë ka fuqinë të rikarikojë energjitë tona, përmirëson humorin, mbron shëndetin e zemrës dhe sistemin tonë imunitar. Sigurisht që me jetën frenetike që bëjmë, të flesh shumë dhe mirë është pak luks. Ndërkaq, është mjaft e vërtetë që mungesa e gjumit influencon negativisht mbi jetën tonë dhe për këtë arsye është thelbësore që të bëjmë sa të mundemi që të flemë sa më mirë. Ja cilat janë disa nga pasojat e privimit nga gjumi:
Kur nuk flemë për një natë:
Lëkura “vuan”. Nëse nuk pushojmë mjaftueshëm lëkura jonë do të hakmerret. Për këtë fakt kur të zgjohemi në mëngjes do të kemi një çehre të zbehtë dhe sy të nxirë;
Ekziston rreziku që të marrim vendime të gabuara. Pjesa e trurit që kontrollon logjikën, dorëzohet, ndaj është shumë më e lehtë që ne të bëjmë gabime;
Rritet ndjeshmëria ndaj dhimbjeve. Pagjumësi shteron rezervat tona të serotoninës dhe kjo çon në një rritje të ndjeshmërisë së dhimbjeve të ndryshme;
Bëhemi shumë nervozë. Lodhja mund të na çojë në një gjendje ankthi dhe nervozizmi në rritje.
Nëse nuk arrini të flini për disa net me radhë:
Është e vështirë që të arrini të përqendroheni. Pas disa netëve pa gjumë, kapaciteti ynë i përqendrimit dëmtohet rëndë, madje edhe për të kryer detyra të thjeshta.
Shfaqet rreziku për t’u sëmurur nga diabeti. Të humbasësh orë të shumta gjumi për disa ditë redukton aftësinë e mbajtjes së ekuilibrit të nivelit të sheqerit në gjak.
Mungesa e gjumit për një kohë të gjatë çon në:
Obezitet. Pak gjumë shkakton ndryshime metabolike, të cilat grumbullojnë më lehtë yndyrën;
Sëmundje kardiovaskulare
Pa bërë aspak pushim, muskujt e zemrës mbingarkohen; kjo mund të shkaktojë rritje të presionit të gjakut apo një trashje e muskujve të zemrës;
Shqetësime psikologjike
Fjetja e paktë mund të shkaktojë luhatje humori dhe kjo është e lidhur me fillimin e depresionit;
Ul ose shkatërron funksionin e sistemit imunitar; sistemi imunitar mund të ndalë së funksionuari në mënyrën më efikase.