Që nga dje, Qeverisë së Kosovës i është shtuar edhe një punëtor. Arbër Behluli, djali i këngëtares së njohur kosovare, Shkurte Fejza, do të ushtrojë pozitën e Zyrtarit të Lartë për Planifikim të Politikave në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, raporton Periskopi.
Djali i këngëtares së njohur kosovare ka nisur sot punën në Qeverinë e Ramush Haradinajt.
Periskopi gjeti se Arbër Behluli u shpall kandidati më i suksesshëm nga konkurrentët për pozitën e Zyrtarit të Lartë për Planifikim të Politikave.
Arbri, njëkohësisht është djali i vetëm i Shkurte Fejzës dhe Hajrush Behlulit.
Konkursi për këtë pozitë, ishte shpallur më 18 janar dhe fillimisht kishte qenë i hapur deri më 1 shkurt 2019.
Por, për shkak se kandidatët nuk kishin plotësuar kriteret e përcaktuara në konkurs, i njëjti ishte vazhduar tutje.
Herën e dytë, ky konkurs ishte i hapur për shtatë ditë kalendarike, përkatësisht nga 8 deri më 14 shkurt.
Njoftimi se Arbër Behluli është kandidati i suksesshëm për këtë pozitë ishte dhënë dje nga Qeveria e Kosovës.
Ai ishte publikuar në ueb faqen zyrtare të Qeverisë.
Më 67.80 për qind të pikëve të fituara nga pikët e përgjithshme, Arbër Behluli nga sot është pjesë e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Qeverinë Haradinaj.
Për shkollimin dhe përvojat e punës së Arbrit dihet pak, pasi të njëjtat nuk janë të qasshme online.
Për punësimin e djalit të Shyhrete Behlulit në Qeveri, sot foli edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Kryeministri tha se nuk ka njohuri për këtë gjë, por që shpreson se i njëjti është pranuar në atë pozitë për shkak të përvojës së tij.
“Te punësimi i djalit të Shkurtës, nuk po hi shumë, më kanë tregu informata, s’di si ka ardhë deri te punësimi. Nuk e di, shpresoj që ka ardhë me praktikë të mirë deri te punësimi, do të marr informata”, ka thënë Haradinaj.
Ashtu siç u tha më lartë, Arbri është djali i vetëm i këngëtares së njohur të folklorit, Shkurte Fejzës.
Ajo ka edhe tri vajza të tjera: Gresën, Besianën dhe Agnesën, për të cilat shpeshherë raportohet në media.
Emri i bashkëshortit të këngëtares, Hajrush Behlulit, së fundmi ishte përmendur për çështjen e një haraçi që arrinte vlerën e 170 mijë eurove.
Gani Geci dikur kishte deklaruar se Ruzhdi Shaqiri, tashmë i ndjerë i kishte vënë haraç këngëtares, Shkurte Fezja.
Por, bashkëshorti i saj, Hajrushi e kishte quajtur absurde dhe të pavërteta atë që Geci kishte deklaruar.
Bashkëshorti i Shkurte Fejzës kishte pranuar se kanë pasur probleme, por që gjithçka ishte zgjidhur nga gjykata.
“Është e vërtetë që kemi pas probleme, presione dhe shantazhime nga ata njerëz por ky problem përmes avokatit ka përfunduar në momentin kur kemi filluar procesin gjyqësor”./PERISKOPI










