Ja kur pritet të vuloset marëveshja mes Zaevit dhe kryeministrit grek

Palët nuk zbulojnë detaje rreth kornizës për zgjidhjen e çështjes së emrit, të dakorduar mes kryediplomatëve të Maqedonisë dhe Greqisë. Në prag të bisedës telefonike mes kryeministrave, Zoran Zaev e Aleksis Cipras, shefi i diplomacisë greke Kocias i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani tha se me homologun maqedonas kanë bërë gjithçka që ishte e mundur për kornizën e një zgjidhjeje të pranueshme dhe se tani me çështjen po merren grupet e punës. Kocias tha se prej mbrëmë grupet punuese të Maqedonisë, Greqisë dhe OKB-së po punojnë në përgatitjen e marrëveshjes për të cilën duhet të vendosin Zaev e Cipras. Ndërkohë zëdhënësi i Qeverisë greke, Canakopulos u shpreh optimist se telefonata dhe hapat e ardhshëm do të jenë vendimtar, por se duhet durim deri në gjetjen e zgjidhjes së mirë.

Ministrat e Jashtëm kanë bërë progres të madh, ne jemi në linjën finale, por askush nuk mund të parashikojë se cili do të jetë epilogu i negociatave kaq komplekse. Akoma jam shumë optimist dhe pres që hapat e ardhshëm dhe raundi i radhës i negociatave të jenë përfundimtare. Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje për të cilën po punojmë kaq gjatë – deklaroi Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.

Zv.ministri i jashtëm grek Katrugalos tha se marrëveshje do të ketë nëse Zaev pranon ndryshime kushtetuese dhe erga omnes.

Në këtë moment barra për arritjen e marrëveshjes është me të vërtetë tek pala tjetër. Nevojitet vendim i guximshëm nga ana e kryeministrit Zaev për dy çështjet për të cilat kemi diskutuar, për ndryshime kushtetuese në lidhje me emrin dhe pranim të erga omnesit për zgjidhje, që të zgjidhet problem – tha Jorgos Katrugalos, Zv/ministër i Jashtëm.

Megjithatë jozyrtarisht flitet se palët kanë zgjedhur propozimin “Republika e Maqedonisë Veriore”, ndërsa plani për zbatimin e marrëveshjes përmban 11 pika. Kështu në rast se kryeministrat dakordohen dhe caktojnë takim në Prespë për zyrtarizimin e marrëveshjes, ajo fillimisht duhet të votohet me shumicë të thjeshtë në Kuvendin tonë, pas çka Greqia do ta njoftojë NATO-n se e lejon anëtarësimin, ndërsa NATO do t’i bëjë ftesë zyrtare për anëtarësim më 11 dhe 12 korrik. Ndërsa paraprakisht, në qershor vendi do të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në. Më 8 shtator do të mbahet referendum për emrin e ri. Pas referendumit, Kuvendi me shumicë prej 2/3 do të ndryshojë Kushtetutën. Dhe në fund marrëveshja do të ratifikohet në Parlamentin grek. Por kjo skemë që e publikojnë mediat greke, ka revoltuar opozitën në shtetin fqinj. Për Demokracinë e Re është e paimagjinueshme që Qeveria greke të shesë armën e negociatave që ka, të lejojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE e të presë që Maqedonia ta përmbush marrëveshjen me këste. Nga ana tjetër, Presidenti Gjorge Ivanov kërkon që të informohet rreth të rejave të fundit në negociatat për emrin, rreth kornizës dhe grupeve punuese që po hartojnë marrëveshjen.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu