Në zgjedhjet presindenciale në Maqedoni janë përfshirë edhe politikanë, analistë dhe artistë të njohur nga Republika e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për shtyp ka bërë thirrje që shqiptarët e Maqedonisë më 21 prill ta votojnë profesorin Blerim Reka.
Ndërsa lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti ka marrë pjesë në një tubim të Blerimit në qytetin e Kumanovës, njofton agjencia e lajmeve INA.
Në këtë organizim, ku ishin të pranishëm edhe Lideri i Aleancës, Zijadin Sela dhe lideri i Lëvizjes BESA, Kurti ka thënë se shqiptarët kanë rastin të respektojnë veten duke votuar kandidatin për president Blerim Reka.
“Blerimi nuk është i korruptuar. Blerimin duhet ta votoni edhe për atë që ai është. Ju e njihni mirë si shkupjan, diplomat e profesorë, intelektualë e publicistë. Unë e njoh edhe më mirë si këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare i Adem Demaçit në zyrën e UÇK-së në vitet e luftës së Kosovës”, theksoi Albin Kurti.
Sipas tij, sikur mos të kishin shqiptarët një kandidat të tyre kjo do të ishte mungesë vetërespekti, se kur nuk e respekton veten, as tjetër nuk të respektojnë.
Përpos tij, për Blerim Rekës ka folur fjalë miradie edhe aktori i njohur kosovarë, Çun Lajçi.
Ai përmes një postimi ka thumbuar lidhur me zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, dhe thirrjet e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti për të votuar kandidatin Stevo Pendarovskit të LSDM dhe koalicionit qeverisës.
Por, përpos lëvdatave ka pasur edhe kritika. Veprimtari kosovarë, Ibrahim Kelmendi, ish këshilltarë i Ali Ahmeti e ka quajtur Rekën egocentrik dhe naiv.
“Gjithandej ca patriotë, edhe patriotë të mërdhezur, irracional, bile edhe naiv deri në marrëzi, por edhe disa komplotistë shqipfolës, po zhurmojnë patriotikisht kundër votimit të kandidatit të koalicionit qeverisës, duke preferuar kandidatin e pavarur, për të vetmen meritë: na qenkësh shqiptar. Kam hezituar të shpreh mendimin, meqë mendoja më taktike është të simuloja neutralin. Por, edhe heshtja nuk të shpëton dot nga fajësimet, nga të dy palët”, është shprehur ai. (INA)










