Koalicioni VLEN pritet që deri nesër të caktojë përfundimisht emrat e ministrave që do të plotësojnë kabinetin e ri qeveritar pas procesit të rikonstruimit.
VLEN me rikonstruimin do të ketë tre dikastere të reja e të rëndësishme: Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive.
Ndonëse zyrtarizimi i listës finale do të bëhet vetëm pas vendimit të kryesisë partiake, agjencia e lajmeve INA mëson se propozimet e para tashmë kanë marrë formë jozyrtare.
Ministria e Drejtësisë: Jeton Shasivari
Për njërën nga ministritë më delikate, atë të Drejtësisë, si emër potencial po qarkullon Jeton Shasivari. Ai është një figurë e njohur në qarqet akademike dhe juridike, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL). Shasivari njihet si ekspert i spikatur i ligjeve dhe mban pozicionin e anëtarit në Komisionin prestigjioz të Venecias për Maqedoninë e Veriut.
Ministria për Marrëdhënie mes Bashkësive: Azir Aliu
Në krye të këtij dikasteri pritet të emërohet Azir Aliu, i cili vjen nga një përvojë e suksesshme qeveritare. Aliu deri më tani ka ushtruar detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, dhe kalimi i tij në këtë ministri shihet si lëvizje strategjike e koalicionit për të ruajtur dinamikën e punës në ekzekutiv.
Ministria e Kulturës: Salim Sulejmani?
Për dikasterin e Kulturës, emri që po shqyrtohet është ai i Salim Sulejmanit, ish-deputet nga Struga, i cili u rreshtua me VLEN-in pas ndarjeve në ASH. Sulejmani ka përfunduar Fakultetin Teologjik dhe ka shërbyer më parë si Myfti i Strugës. Së fundmi, ai mbante postin e dërguarit të posaçëm të Qeverisë në Arabinë Saudite.
Por këto emra janë jozyrtar që qarkullojnë brenda VLEN, bëjnë të ditur burime qeveritare. Megjithatë deri nesër pritet të miratohet vendimi për kandidatët për ministrat nga VLEN, që do jenë pjesë e Qeverisë së rikonstruuar./INA/










