Ja pse Franca është kundër fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut

Burime diplomatike franceze informojnë se një prej arsyeve se pse Parisi është kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut është mungesa e progresit në reformën e statusit të Prokurorisë Publike Speciale.

“Konkretisht vlerësojnë se Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet shtesë veçanërisht në pjesën e Prokurorisë Publike Speciale, vlerësojmë se mbetet akoma punë edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë dhe se gjendja nuk është aq rozë siç po prezentohet”, thotë një burim diplomatik francez për MIA.

Kjo tani është pozitë zyrtare e autoriteteve franceze dhe do t’u kumtohet ministrave të Punëve të Jashtme të martën në Luksemburg.

Për Shqipërinë kërkohen angazhime akoma më të mëdha në pjesën e kompletimit të reformës në sistemin gjyqësor, ndërsa Franca do ta theksojë faktin se sistemi i vetingut në gjyqësinë shqiptare ka pasur “efekte perverse” për arsye se vendi ka mbetur pa gjykatës.

Sa i takon Marrëveshjes së Prespës, Franca vlerëson se ajo është me rëndësi të madhe historike, por se kjo “nuk ka kurrfarë lidhshmërie me procesin e zgjerimit”.

“Për ne Prespa nuk ka kurrfarë lidhje, kjo është marrëveshje historike, por nuk lidhet drejtpërdrejt me procesin e zgjerimit, një marrëveshje e rëndësishme është e nevojshme, por nuk duhet të pritet se ajo do ta zhbllokojë procesin e zgjerimit”, thotë diplomati francez.

Madje edhe sikur të zgjidhet çështja për PSP-në deri të martën e ardhshme kur do të mbahet takimi i ministrave në Luksemburg, Franca do të refuzojë negociata me Maqedoninë dhe Shqipërinë, por do të refuzojë edhe ndarjen e dy vendeve, sqaron diplomati.

Arsyeja për këtë është që Franca dëshiron reforma paraprake më në themel të metodologjisë për vendet kandidate, për çka nevojiten më së paku disa muaj. Për këtë Franca propozon t’i kthehet çështjes në mars të vitit 2020, por pa kurrfarë garancie se do të japë dritë jeshile edhe atëherë.

“Na duhet të konstatojmë se procesi i inkuadrimit në BE është shumë teknik dhe i pamjaftueshëm politikisht dhe se ai nuk ka mundësuar të shohim transformimin e shoqërive siç i presim, prandaj kërkojmë prej Komisionit Evropian ta vë në tavolinë reformën e metodologjisë së zgjerimit që kjo metodologji të jetë më shumë politike, më graduale dhe më reverzibile”, sqarojnë diplomatët francezë.

Atë që Parisi dëshiron ta shohë është proces në të cilin do të mundet gjatë negociatave të kthehet mbrapa nëse konstatohet se një vend shënon regres ose qëndron në vend lidhur me reformat, ndërsa njëherësh ky proces i ri do të mundësonte benifite para anëtarësimit të plotfuqishëm, në mënyrë hipotetike përmes qasjes drejt fondeve strukturore të BE-së shumë më herët në proces.

Mbështetje për reforma në procesin e negociimit Franca ka marrë nga Danimarka, Holanda dhe Spanja si edhe të gjitha këto tri vende kanë porositur se e mbështesin fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut por jo edhe me Shqipërinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu