Ja pse humbi PDK-ja sipas Blerim Latifit

Sipas Blerim Latifit, kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe këshilltar i lartë i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, PDK-në nuk e ka mundur Vetëvendosja, e as LDK-ja, por e ka mundur PDK-ja, konkretisht lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit.

Ai ka thënë se këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur para dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta.

“I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe”. Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje. Ky është një shembull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundërshtarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së.

Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shes in të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike. Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike. Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme. Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi”, ka shkruar ai.

Latifi ka falënderuar votuesit e tij në Skënderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta dhe e kanë mbështetur.

“Ata janë njerëz të shpresës dhe unë kurrë nuk do t’i harroj. Ndërkaq, njerëzve të mirë të PDK-së ua uroj gjithë të mirat në jetën dhe familjet e tyre. Ata janë shumica dhe meritojnë të respektohen dhe të mbështeten”, ka shkruar në fuand Latifi, përcjell KosovaPress.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu