Ka shkuar në 42 numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bën me dije se trupi i nxjerrë pak më parë çon në 42 numrin e viktimave. Identiteti i personit të gjetur një orë më parë është Sotiraq Mishaj, 41-vjeç.Qindra persona kanë kaluar natën e dytë mes rrënojave, nëpër tenda apo vetura, pas tërmetit me magnitudë 6.4, njëherësh më i fuqishmi në dekada që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.
Një tërmet i fuqishëm 4,9 shkallësh të Rihterit goditi Shqipërinë në orën 11:25 të ditës së enjte. Epiqendra ishte në Detin Adriatik, 48 kilometra në veriperëndim të Tiranës, me thellësi prej vetëm 2 kilometrash. Gjithashtu, në orën 11:52, një tërmet tjetër 4 ballësh po ashtu me epiqendër në Adriatik, goditi Shqipërinë.
Ky tërmet ishte 33 kilometra në veriperëndim të Tiranës me thellësi prej 10 kilometrash. Ekipet e shpëtimit nga më shumë se 10 shtete u janë bashkuar ekipeve të Shqipërisë më 27 nëntor, për të kërkuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Shumica e viktimave janë shkaktuar në qytetin e Durrësit dhe qytezën Thumanë. Numri më i madh i viktimave është shënuar në Thumanë ku u rrëzuan dy pallate dhe mbetën të vd ekur 23 persona.
Gjashtëmbëdhjetë persona tjerë kanë humbur jetën në disa zona të Durrësit, në një pallat 6 katësh të shembur në qytet, në dy hotele të rrënuara në zonën e Plazhit si dhe një shtëpi në zonën e ish-Kënetës, ku jetonin tre vëllezër dhe familjet e tyre. Mes viktimave deri tani janë 4 fëmijë, nga 3 deri në 8 vjeç. Shqipëria sot shënon 107-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ditë kjo që e gjen vendin në panik dhe pa qetësi.










