Ja si i shpërdoruan ish ministrat e BDI-së mijëra euro nëpër dreka dhe hotele

[one_fifth_last]Përveç zgjedhjeve të rregullta lokale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, asgjë më e rëndësishme nuk ka ndodhur në Republikën e Maqedonisë në vitin 2013 dhe 2014. Për shkak të krizës globale financiare në këtë periudhë, as investimet e huaja të drejtpërdrejta nuk janë rritur në mënyrë të konsiderueshme, as ndonjë sukses i dukshëm financiar ose diplomatik nuk është shënuar në këto dy vite.

Megjithatë, në këto dy vite vetëm për akomodim në hotele jashtë vendit nga kartelat zyrtare të Ministrisë së Financave janë shpenzuar rreth 100 mijë euro.

Në bilancet bankare të kartelave zyrtare nuk shkruan se cila faturë kujt i takon, megjithatë shihet se funksionarët kanë harxhuar paratë më së shpeshti për udhëtime, përkatësisht për akomodime në hotele luksoze dhe për dreka në restorante jashtë vendit.

Nga kjo ministri në vitin 2011 për hotele janë harxhuar 10.899 euro, ndërsa 942 euro në restorante. Në vitin e ardhshëm 2012janë harxhuar 35.717 euro për hotele, kurse në restorante janë harxhuar 4.950 euro.

Pagesat për hotele dhe udhëtime çdo vit rriten në këtë ministri, kështu që në vitin 2013 për hotele janë harxhuar 47.213 euro, ndërsa për restorante janë harxhuan 2.493 euro.

Rekord në harxhime për hotele bëhet viti 2014, ku ai numër arrin në vlerën prej 50.391 eurosh.

Nga fillimi i krizës politike vërehet një ulje e harxhimeve. Kështu, në vitin 2015 janë harxhuar 25.865 euro, ndërsa në vitin tjetër 2016 – 10.806 euro.

Lutfiu “ka lënë” rreth 20 mijë euro në restorante në shkup

Hulumtimi i SCOOP-it tregoi se jo vetëm në Ministrinë e Financave, por funksionarët e Maqedonisë në përgjithësi nuk bëjnë dallim midis parave shtetërore dhe atyre personale. Parat e buxhetit i përdorin edhe për nevojat e tyre jozyrtare.

Dokumentet të cilat i posedon SCOOP-i zbulojnë se ata në përgjithësi flenë në hotele luksoze, paguajnë VIP fluturimet më të shtrenjta, frekuentojnë në kafenetë elitare, hanë dreka dhe darka vetëm në restorante elitare dhe nga butikët e modës blejnë vetëm veshmbathje të brendit.

Dhe çdo gjë do të ishte në rregull në qoftë se e bënin atë me paratë e tyre, e jo me paratë e qytetarëve.

Gjatë hulumtimit është bërë një inspektim në kartelat zyrtare të funksionarëve të ministrive për 6 vitet e kaluara.

Sipas informatat e marra me anë të Ligjit për qasje të lire deri te informatat e karakterit publik, mbi 20 mijë euronga kartela zyrtare ka harxhuar Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu gjatë mandatit të tij nga 5 prill e vitit 2016 deri më 1 qershor të vitit 2017.

Lutfiu ka qenë mysafir i rregullt në restorantet dhe kafenetë në Shkup, ndër të cilat “Fish”, “Furna”, “Meriot Distrikt”, “Aleksandija” , “Vodenica Mulino”, “Dukat” dhe “Stoun Brixh”.

Për hotelet në Kosovë, Gjermani, Austri dhe Greqi, Lutfiu ka harxhuar rreth 2.300 eurosh.

Me parat e qytetarëve është blerë në “tom tejlor”, “bitciani”, “svarovski”

“Kratis” dhe “Sileks” janë hotele të preferuara të ish-Ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit së Ujërave, Mihail Cvetkov.

Ai në vitin 2015 ka harxhuar 2.686 euro në restorante, ndërsa vizitat e tija të shpeshta të hoteleve e kanë kushtuar më shumë, përkatësisht 3.898 euro.

Në vitin 2016, ai e zvogëlon luksin në 844 euro për restorante dhe 1.520 euro për hotele.

Mitko çavkov pothuajse çdo ditë ka vizituar restorante të ndryshme

Mitko Çavkov, pasardhësi i ministres Gordnana Jankulovska nga Ministria e Punëve të Brendshme,për restorante në vitin 2015 ka harxhuar 4.121 euro, ndërsa në vitin 2016 ka harxhuar 6.782 euro.

Në listën e dhuratave nga kartela e tij zyrtare takohen shpesh emrat e njëjtë të restoranteve, si “La Teraca”, “Skara Bar”, Pivnica restorant”, “Vodenica”, Mikei Hanting Klab”, “Kaj Xhino” dhe “Amigos”.

Ish-ministri Mile Janakievski, i cili kaloi dy mandate në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, në vitet e para të funksionit të tij prej vitit 2012 deri në vitin 2014 ka harxhuar 23.607 euro, prej të cilave 8.276 për restorante dhe 12.668 për hotele.

Nga kartelat zyrtare në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale kemi llogaritur se në vitin 2015 për restorante janë harxhuar 3.564 euro, ndërsa në vitin tjetër 2016 2.221 euro. Ministër në këtë periudhë është Lirim Shabani.

Për hotele në dy vitet janë harxhuar gjithsej 1.117 euro, ndërsa për gjërat e tjera janë ndarë 5.000 euro në dy vitet.

Është karakteristike për këtë ministri se në vitin 2015 janë harxhuar rreth 10.000 eurosh, prej të cilave pothuajse 2.500 euro janë harxhuar në “Bushi Feshën”.

Në vitin 2016 nga 4.500 eurot e harxhuara, njëmijë euro janë harxhuar vetëm në “Bushi Feshën” Shkup.

Në tri vitet e para të funksionit të tij, për restorante dhe hotele, ish-ministri Ivo Ivanovski, i cili kaloi dy mandate në Ministrinë e shoqërisë informatike, ka harxhuar 32.527 euro. Nga ato para, 15.534 euro janë harxhuar në restorante, ndërsa 16.992 për hotele.

KA HARXHUAR VETËM 200 EURO PËR RESTORANTE!

Një nga funksionarët më modestë është Fatmir Besimi, ish-ministri i mbrojtjes. Ai në vitin 2016 ka harxhuar një shumë modeste prej 200 eurosh për restorante.

Në vitin 2017 nuk janë vërejtur vizita në restorante në kartelën e tij, ndërsa për udhëtime Besimi ka harxhuar rreth 2.800 eurosh.

Nga kartelat e Nurhan Izairit, ish-ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në periudhën e vitit 2015 deri në vitin 2016 është llogaritur shuma totale prej rreth 13.800 eurosh.

Valdet Xhaferi, ish-ministri i drejtësisë, nga kartela e tij zyrtare ka harxhuar shumën e afër 8.880 eurove. Në bilancet bankare të kartelës së tij qëndrojnë restorantet e njohura mirë “Panorama”, “Tutto”, “Matador”, “Uranija”, Rustikana”, “La Teraca”, “Veneto”, por edhe kafenetë “Dukat”, “Burger King” dhe piceria “Tvins TP”. Xhaferi për këto shërbime të restoranteve ka paguar rreth 7.740 eurosh, ndërsa për vizita në hotele ka harxhuar rreth 1.060 eurosh.

Katër mijë dhe treqind euro nga kartela personale e ish-ministres së kulturës Elizabeta Kançeska Milevska kanë shkuar në llogarinë e zinxhirit të njohur të hoteleve “Hilton” vetëm për një ditë.

Ish ministrja e kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska, edhe në hulumtimin e mëparshëm të SCOOP-it Maqedoni është një nga shembujt e harxhimit të paskrupullt të parave shtetërore.

Kançeska Milevska ka qenë mysafire e shpeshtë e hoteleve të famshme “Sheraton” dhe “Ric” në kryeqytete evropiane dhe botërore. Për fjetje në këto hotele ajo ka paguar një shumë prej 300 eurove për një natë, të gjitha këto nga llogaria e buxhetit të cilën e mbushin qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Dikasteri i ekologjisë nuk tregon për çka i harxhon paratë

Nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor kemi marrë përgjigje në të cilën janë dërguar kartelat analitike të një pjese të funksionarëve të ministrisë. Përgjigjen e pakompletuar e kanë arsyetuar me mungesën e kohës së mjaftueshme dhe resurseve njerëzore për t’i përgatitur informatat e kërkuara.

Në kartelat janë shkruar emrat e funksionarëve dhe shumat e harxhuara për shërbime, por nuk mund të shihet se për çka janë harxhuar ato para. Ekipi i SCOOP-it ka kërkuar ankesë në Komisionin për mbrojtjen e së drejtës për qasje të lirë dhe e njëjta u pranua. Megjithatë, deri në publikimin e kësaj storjeje nuk morëm përgjigje nga kjo ministri.

Nga hulumtimi mund të vërehet se ish-ministrat kanë apetite të ndryshme për harxhim, por të njëjtën shije për restorante dhe hotele.

Ministrat ndërrohen, ndërsa kartelat zyrtare mbeten kartela më shpesh e përdorur e pagimit për nevojat jozyrtare të funksionarëve.

Opinioni ka të drejtën që të dijë se si i harxhojnë funksionarët paratë e qytetarëve. Shembujt në këtë storje janë një tregues të vogël, por të shquar që funksionarët e rinj dhe qeveria e re të tregojnë një sjellje të ndryshme dhe të përgjegjshme ndaj parave shtetërore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu