“Jam gjumash, bëhem i rreptë me fëmijët”, Messi: Dua patjetër një Champions

Leo Messi ka marrë ditën e djeshme “Këpucën e Artë”, të gjashtën në karrierën e tij.

“Pleshti” ishte golashënuesi më i mirë në Europë për sezonin që lamë pas me 36 golat e shënuar, duke grumbulluar 72 pikë. Ai la pas Mbapenë në këtë garë. Në intervistën e dhënë pas fitores së këtij çmimi, ai vlerësoi shokët e skuadrës dhe foli për jetën jashtë fushës së lojës.

Me këmbë e dimë çfarë mund të bëni dhe e dimë që jeni i mirë, por duart, i vini në përdorim në shtëpi për të bërë ndonjë punë?

Fillimisht dua t’ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu në këtë ditë të shënuar për mua…

Mirë, mos na devijoni nga pyetja…

(Qesh) Për të thënë të vërtetën, nuk shquhem si punëtor i madh. Sa herë jam në shtëpi, kërkoj ndihmë për gjithçka.

Leo, si është procesi i gjumit për ju? Zgjoheni natën ndonjëherë?

Në fakt, gjumi është shumë i rëndësishëm për mua dhe nuk ndiej asgjë kur fle. Mund të më kalojë një kamion përsipër kur jam në gjumë dhe sërish nuk e ndiej. Pushimi për mua është diçka e domosdoshme.

Cili është ushqimi pa të cilin nuk bëni dot?

Edhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për mua, sepse ushqimi ndihmon edhe në formën si futbollist. Duhet të ha shumë gjëra jeshile. Edhe fëmijët i kam mësuar kështu. Tiago i konsumon, ndërsa Mateo…

Si ju pëlqen të visheni, me gjëra serioze apo me sportive?

Varet nga dita. E rëndësishme është që të ndihem komod në të gjitha vendet ku shkoj. Gjërat rastësore janë më mirë, por për ndonjë mbrëmje speciale më duhet të vesh kostum.

Cili është prindi më “i keq” në shtëpi? Jeni i rreptë apo bashkëpunues me fëmijët?

Unë u kërkoj më shumë llogari atyre dhe bëhem i keq. Ndonjëherë e lëshoj “dorën”, ndërsa herë të tjera nuk i lejoj. I lë me dyshime që të mos më kuptojnë si jam (Qesh).

Flasim për gjërat e futbollit tani. Flitet shumë për Champions-in. Kaq shumë e keni fiksim?

Sigurisht që Liga e Kampioneve është diçka speciale për të gjithë lojtarët dhe ne kemi vite që duam ta fitojmë. Por La Liga është më shumë e rëndësishme. Në fakt, ne duam të bëjmë mirë në të tria kompeticionet. Edhe pse flitet shpesh për Champions-in, La Liga dhe Kupën, nuk harrojmë kurrë kompeticionet e tjera. Në të vërtetë jam i fiksuar me një Champions dhe shpresoj të jetë viti ideal.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu