Analisti politik serb Dushan Janjiq, ka mohuar të ketë thënë se ish-emisari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, paguhet me 100 mijë euro në muaj për të lobuar për Serbinë.
Megjithatë, sipas tij, aktivitetet e fundit të Grenellit në Serbi duken si lobim. Janjiq ka treguar se si i është përgjigjur analistit amerikan Daniel Serwer, në lidhje me këtë çështje, duke premtuar se ai do të sjellë dëshmi, nëse presidenti Aleksandar Vuçiq, nuk i publikon pagesat për aktivitetet e lobimit në Amerikë.
Themeluesi dhe presidenti i Forumit për Marrëdhënie Etnike, ka folur poashtu edhe për marrëveshjen e Washingtonit, duke vlerësuar se ajo është më seriozja në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ai ka theksuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e mbështeti njohjen e Kosovës me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje.
Teksa ka lavdëruar ish-presidentin Donald Trump për pragmatizëm lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit, Janjiq ka thënë se duhet të mendojmë se si Bashkimi Evropian do ta realizojë marrëveshjen finale ndërmjet të dyja vendeve, sepse “Amerika nuk mund të jetë lojtari i vetëm në këtë rast”.
Edhe pse thotë se nuk është fans i politikës së Trumpit, lidhur me këtë Marrëveshje ai i thotë atij “Bravo”.










