Janjiq: Vuçiq mund të betohet, por në realitet s’mund ta ruajë Kosovën si pjesë të Serbisë

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd, thotë se është krejtësisht e parëndësishme se çfarë do të premtojë Vuçiq me betimin që e dha sot si President. Vuçiq si rëndom u betua “se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj”.

A mundet presidenti, në realitet, të zbatojë atë që e ka thënë – nuk mundet. E pamë që nuk mundi të organizonte zgjedhjet atje, as referendumin për ndryshimin e Kushtetutës, për të mos thënë që nuk mundi të dërgonte ushtrinë e policinë, as nuk mundi të shkonte vetë atje”, tha Janjiq për Radio Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë ishte për herë të fundit në Kosovë në shtator të vitit 2018, kur vizitoi Ujmanin (Gazivodën) në veri të Kosovës dhe vendet ku jeton popullata shumicë serbe. Vizita u miratua nga autoritetet në Kosovë, ashtu siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit.

Sipas një marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila zbatohet që nga viti 2014, të dyja palët janë zotuar të dërgojnë njoftime dhe të kërkojnë leje për të vizitat e zyrtarëve.

Gjendja në terren është e tillë që nëse Qeveria e Kosovës nuk e dëshiron këtë, presidenti Vuçiq nuk mund të hyjë atje”, tha për Radion Evropa e Lirë analisti nga Kosova, Agon Maliqi.

Vuçiq kishte planifikuar të vizitonte Kosovën edhe në vitin 2020, por vizita e tij nuk u miratua. Në një atmosferë tensioni me Prishtinën, ai takohej me përfaqësuesit politikë serbë në Beograd ose udhëtonte në jug të vendit.

Pas aksioneve të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, të cilat nxitën protesta të serbëve në veri të Kosovës në tetor të vitit 2021, Vuçiq u takua me ta në Rashkë në jug të Serbisë.

Në shtator të po atij viti, ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, vizitoi detashmentin e xhandarmërisë në Kralevë (rreth 80 kilometra nga Kosova), për shkak të vendosjes së Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë dhe masave reciproke për heqjen e targave serbe nga automjetet që hynin në Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu