Sipas raportimeve nga “Diario AS”, David Alaba nuk bën më pjesë në planet e Real Madrid për sezonin e ardhshëm.
Mbrojtësi austriak pritet të largohet gjatë verës si lojtar i lirë, pasi klubi po përgatit një “spastrim” të skuadrës në kuadër të një rindërtimi të madh. Problemet e shpeshta me lëndime kanë bërë që 33-vjeçari të humbasë rolin e tij në ekip gjatë viteve të fundit.
Një tjetër faktor kyç është edhe aspekti financiar. Reali synon të ulë faturën e pagave dhe largimi i Alabës do të krijonte hapësirë për afrime të reja në merkato.
Përveç tij, në listën e largimeve të mundshme përmenden edhe Dani Ceballos, Eduardo Camavinga dhe Raul Asencio, të cilët mund të sakrifikohen në kuadër të ndryshimeve të planifikuara.
Ndërkohë, klubi madrilen po shqyrton alternativa për repartin defensiv, me emra si Nico Schlotterbeck dhe Cristian Romero që janë lidhur me një transferim të mundshëm.
Real Madrid duket i vendosur për të hapur një kapitull të ri, duke bërë ndryshime të rëndësishme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar./Telegrafi/










